Chivu “hakmerret” për 5-0 e Mynihut: Ta lëmë pas të shkuarën, përgjegjësi e madhe ta drejtosh Interin

Debutim më të mirë nuk mund të kishte ëndërruar Cristian Chivu, i cili e udhëhoqi Interin e tij drejt fitores së thellë 5-0 ndaj Torinos, në javën e parë të kampionatit. Një rezultat që nuk e fshin poshtërimin e Mynihut, por shërben për ta nisur me këmbë të mbarë garën për titull.

“Ne kemi punuar për t’u paraqitur në gjendjen më të mirë. Djemtë reaguan në mënyrë të shkëlqyer, duke lënë pas të shkuarën, pjesën negative të sezonit të kaluar. Ishte një provë pjekurie, intensiteti dhe agresiviteti. Jam shumë i lumtur për ta. Që nga dita e parë u përshtatën menjëherë me realitetin e ri, pranuan ngarkesat e punës pa u ankuar, edhe stërvitjet e dyfishta. Punuan me kokën ulur dhe sonte u paraqitëm në kushte mjaft të mira”, – tha trajneri zikaltër.

© IPA

Për merkaton: “Jam pak i zbrazët pas ndeshjes, do të doja të flisja për lojën. Mungojnë edhe disa ditë, do të kemi kohë për të diskutuar”.

Për debutimin në “San Siro” si trajner i Interit: “Emocionet janë të forta sepse më largojnë mendimet, ashtu funksiononte edhe kur isha lojtar. Të rikthehem në një stadium si ‘San Siro’, si trajner i një skuadre ku kam shkruar pjesë të rëndësishme historie… Megjithatë nuk shoh nga e shkuara, jam i përqendruar tek e tashmja, sepse kam një përgjegjësi të madhe”.

Për Lookman: “Nuk është pjesë e skuadrës sonë, është i Atalantës dhe nuk flas për lojtarë që nuk bëjnë pjesë në këtë grup”.

© IPA

Për rreziqet e presionit të lartë: “Kjo ka të bëjë me qëndrimin e gjithë skuadrës, nëse e bën mirë apo jo presionin. Po përpiqemi të punojmë mbi leximet e lojës dhe lëvizjet pa top, qartësisht që nuk është e lehtë, por nuk kam frikë nga asgjë. Këta janë mbrojtës që i kemi dashur, kemi mbrojtur mirë dhe jemi ende duke punuar”.

Mbi përgatitjen fizike: “Nuk është vetëm çështje këmbësh, por edhe mendjeje. Unë e shfrytëzoj shumë aspektin mendor, sepse është i rëndësishëm, ashtu si edhe ai atletik. Mentaliteti gjithmonë të jep diçka më tepër, po punojmë shumë edhe në këtë drejtim”.

The post Chivu “hakmerret” për 5-0 e Mynihut: Ta lëmë pas të shkuarën, përgjegjësi e madhe ta drejtosh Interin appeared first on Telesport.