Lëndimi në shpinë i Marc-André ter Stegen (33 vjeç) do ta mbajë atë jashtë fushave për disa muaj. Në Gjermani kanë frikë se gjendja e tij fizike mund të bëhet problem në prag të Botërorit të verës së ardhshme. Trajneri Julian Nagelsmann theksoi pas operacionit të portierit të Barcelonës: “Ai duhet të jetë numri 1 në klubin e tij për të qenë titullar në Botëror”. Kjo ka rihapur diskutimet për një rikthim të veteranit Manuel Neuer, i cili verën e kaluar njoftoi tërheqjen nga kombëtarja pas 15 vitesh si titullar absolut.
Mundësia që Neuer të kthehet me Gjermaninë nuk përjashtohet, madje po shihet gjithnjë e më pozitivisht për shkak të pasigurisë rreth Ter Stegen. Hermann Gerland, trajner i njohur dhe për shumë vite ndihmës te Bayern Munich, në një intervistë për “ZDF” u shpreh se rikthimi i Neuer është opsioni më i mirë për Botërorin 2026: “Manuel Neuer do të luajë edhe disa vite. Nëse Gjermania do të arrijë diçka në Botërorin e vitit të ardhshëm, Julian Nagelsmann duhet të aktivizojë më të mirin. Dhe ky është Manuel Neuer”.
Gerland u pyet gjithashtu për punën e madhe të Hansi Flick, me të cilin bashkëpunoi si ndihmës te Bayerni midis viteve 2019 dhe 2021, më pas edhe në kombëtare si skaut, duke pasur vetëm lavde për bashkëkombësin: “Hansi ishte një fenomen si profesionalisht, ashtu edhe personalisht. I trajtonte njerëzit në mënyrë të shkëlqyer. Fliste me secilin veç e veç dhe iu shpjegonte, nëse nuk luanin, pse. Ishte dhe mbetet shumë i kujdesshëm. Profesionalisht është në nivelin më të lartë”.
Ai zbuloi gjithashtu se Flick e kishte ftuar bashkë me bashkëshorten për të parë një ndeshje të Barcelonës dhe për të vizituar “Ciutat Esportiva” e “La Masia”, por veterani bëri shaka duke thënë se mund ta paguante vetë udhëtimin: “Pas 55 vitesh nëpër pankina kam kursyer diçka”.
The post Trajneri veteran gjerman nuk i beson Ter Stegen-it: Nëse duam të arrijmë diçka në Botëror, të luajë Neuer appeared first on Telesport.