Frikë për Arrigo Sacchi, pas stuhisë në Milano Marittima: Ndihem me fat që jam ende gjallë…

Tashmë është më i qetë, por Arrigo Sacchi ende e ka zërin e atij që ka kaluar një natë frike të madhe. Moti i keq që goditi Milano Marittima në natën mes të shtunës dhe të dielës, me erëra mbi 100 km/orë dhe plot 265 pemë të rrëzuara, ka lënë gjurmë tek ai.

Arrigo, çfarë ndodhi?
Po shikoja ndeshjet e Serie A para televizorit, si gjithmonë, sepse futbolli mbetet pasioni im i madh edhe sot që jam 79 vjeç, pastaj më zuri gjumi. Isha në shtëpi me gruan time, Giovanna. Më zgjuan bubullimat dhe era.

Cili ishte mendimi i parë?
Frika, sepse brenda pak minutash qielli u shemb mbi ne. Ajo që të trondit më shumë në kësi përmbytjesh janë pemët. E dija që pishat kanë rrënjë sipërfaqësore, por t’i shiha të shkulura nga toka kaq lehtësisht ishte diçka e frikshme. Duke parë çfarë ndodhi, e konsideroj veten me shumë fat që jam ende gjallë.

Kur e kuptuat plotësisht se çfarë po ndodhte?
Vetëm mëngjesin e ditës tjetër, me dritën e diellit. Një katastrofë e vërtetë, në gjithë zonën. Pema të rrëzuara, makina të shkatërruara, ujë kudo.

Shtëpia juaj, a pësoi dëme të rënda?
Duhet ende ta kuptojmë deri në fund, por shpresoj që jo tepër. Duhet parë çatia. Keq ka shkuar për fqinjët dhe më vjen shumë keq. Tani po punojnë punëtorët në të gjithë zonën. Janë të mrekullueshëm, nuk ndalen asnjë çast prej orësh. Gjithsesi, gjëja më e rëndësishme është që askush nuk është lënduar. Sendet rregullohen.

Ju keni lindur në Fusignano, sot jetoni në Milano Marittima, ku menaxhoni edhe një stabiliment plazhi. Gjithmonë i keni ruajtur rrënjët në Romagna…
Kjo është toka ime, toka e prindërve të mi. Vendi im, gjërat e mia, dialekti im. Këtu linda dhe këtu do të vdes, prandaj më dhemb zemra kur shoh katastrofën e shkaktuar nga stuhia. Sidoqoftë, natyra është kjo, ajo komandon, është më e fortë se ne. Ka qenë gjithmonë kështu, vetëm se ndonjëherë e harrojmë.

The post Frikë për Arrigo Sacchi, pas stuhisë në Milano Marittima: Ndihem me fat që jam ende gjallë… appeared first on Telesport.