Kriminelët Radoiçiq dhe Veselinoviq prapa projektit gjigant në Kopaonik?

Më 8 gusht 2025, në një nga kantieret e ndërtimit të kompanisë “Kopaonik Konstrakšn” në qendër të Kopaonikut, Serbi ndodhi një shpërthim i fuqishëm gjatë minimit të dheut për thellimin e niveleve të një hoteli të ri.

Komponentët e shkëmbinjve fluturuan disa dhjetëra metra larg, duke shkaktuar probleme në rrugë dhe dëme të dukshme në fasadat e ndërtesave përreth. Fatmirësisht, nuk pati të lënduar, por rreziku për kalimtarët ishte i lartë, shkruan gazeta hulumtuese, radar.

Ky projekt është pjesë e një zhvillimi të gjerë në Kopaonik, ku organizatori i sulmit terrorist në Banjskë të Kosovës, Milan Radoiçiq dhe partneri në biznes, Zvonko Veselinoviq kontrollojnë të gjitha fazat e ndërtimit, nga lëshimi i lejeve të ndërtimit deri te furnizimi me materialet e nevojshme.

Një nga firmat kyçe për zbatimin e projektit është “BBSE Investments”, e drejtuar nga Andrija Radovanac, i biri i Aleksandar Rakija Radovanca, i cili ka lidhje të forta me botën e biznesit dhe politikës.

 

Pas shpërthimit, autoritetet arrestuan dy persona – D. V., drejtor i firmës “NIN Kop” nga Rashka, dhe A. J., një punonjës i tij – për përdorimin e paligjshëm të eksplozivëve dhe rrezikimin e sigurisë publike.

Ata pretenduan se shpërthimi ishte shkaktuar nga një kontakt i papritur i një ekskavatori me një objekt të paidentifikuar, por hetuesit dyshojnë se kjo ishte një tentativë për të fshehur përdorimin e eksplozivëve.

Ky incident është pjesë e një tendence më të gjerë të zhvillimit të pakontrolluar në Kopaonik, ku ndërtimet e larta dhe shkatërrimi i peizazhit natyror po shoqërohen me rrezikshmëri për jetën e banorëve dhe turistëve.

Ekspertët e mjedisit paralajmërojnë se këto projekte po dëmtojnë rëndë ekosistemin e malit dhe po krijojnë kushte të pasigurisë për komunitetin lokal.

The post Kriminelët Radoiçiq dhe Veselinoviq prapa projektit gjigant në Kopaonik? appeared first on Kosovapost.net.