I intervistuar nga “SportWeek”, Fabio Capello komentoi kampionatin e ri italian (Serie A): “Fillimisht duhet theksuar ndryshimi i trajnerëve, që ka ndodhur në pothuajse të gjitha skuadrat kryesore; tek Interi, Milani, Atalanta, Roma, Lazio dhe Fiorentina.
Edhe Juventusi pothuajse ka një trajner të ri, edhe pse në të vërtetë Tudor erdhi në pjesën e fundit të sezonit të kaluar. Me pak fjalë, skuadra e vetme që ka mbetur me trajnerin e vjetër është Napoli. Napoli që sezonin e kaluar fitoi falë mbrojtjes më të mirë të kampionatit, pa shënuar shumë gola. Kjo tregon diçka.
Besoj se këtë sezon, mënyra e të menduarit dhe loja e Contes do të jetë më shumë ose më pak e njëjtë, edhe pse ka futur në skuadër shumë fantazi dhe cilësi me blerjen e De Bruyne. Nga trajnerët e tjerë, mendoj se do të shohim diçka të ndryshme, diçka të re.
Do të përpiqen, siç thashë më parë, të kopjojnë Slot, trajnerin e Liverpool-it, duke imituar vertikalitetin e skuadrës së tij dhe ndryshimet pozicionale të PSG-së, çka është shumë më e vështirë. Prandaj, kujdes me kopjimin e gabuar. Siç them gjithmonë, futbollit italian i ka bërë dëm Guardiola, sepse trajnerët këtu u përpoqën të riprodhonin lojën e tij pa pasur të njëjtat interpretime.
Favorit? Napoli, jo vetëm sepse është kampion i Italisë në fuqi. Në merkato ka vepruar në mënyrë absolutisht perfekte, pikërisht për të rregulluar ato gjëra problematike të sezonit të kaluar. Po pas tij? Interi. E njoh Chivu që kur ishte lojtar dhe jam i sigurt se ka personalitetin për ta ngritur Interin lart, një skuadër që ka nevojë vetëm të zgjohet nga gjendja e letargjisë së fundsezonit të kaluar.
Lojtarët janë aty, mjafton t’i bindësh në mendjen e tyre dhe t’i rikthesh të jenë normal. Në sezonin e shkuar nuk ishin, duhet të sillen në fushë si të tillë. Nëse e bëjnë këtë, Interi do të jetë kundërshtari kryesor i Napolit”.
The post Parashikimi i Capellos: Trajnerët e Serie A do të imitojnë lojën e Slot dhe sa të munden… PSG-në appeared first on Telesport.