Angelo Peruzzi, ish-portier i Lazios, Romës, Juventusit dhe Interit, i cili për një kohë të gjatë ka veshur edhe fanellën e kombëtares axurre, ka dhënë një intervistë për “Vivo Azzurro TV”, duke folur për veten: “Mua kurrë nuk më ka interesuar nëse isha i mirë apo jo, më interesonte vetëm të bëja mirë dhe mërzitesha shumë kur gaboja.
E lashë botën e futbollit dhe nuk pendohem. Jam mirë ashtu siç jam, pa ato ethet për t’u rikthyer. Më mjafton ajo që kam, duke jetuar me gjërat më të thjeshta, duke shijuar më shumë familjen dhe bërë atë që dua. Ende jetoj në Blera, por jashtë fshatit, i rrethuar nga natyra. Më pëlqen kopshti, të punoj tokën; gjëra të thjeshta që më japin gëzim”.
Na tregon si filloi gjithçka: “Kur isha 10 vjeç duhej të luanim një ndeshje në shkollë, klasike A kundër B. Në atë kohë nuk kishte role të përcaktuara, kështu që mësuesja na kërkoi të kërcenim për të prekur traversën. Unë e arrita dhe kështu më vunë në portë. Që aty e më pas, pak nga pak, filloi të më pëlqente roli i portierit, edhe sepse aftësitë e mia si numër 10 nuk ishin ndonjë gjë e madhe”.
Liedholm e quajti “Tyson”: “Nuk është se më pëlqente aq shumë. Megjithatë, Liedholm ishte një njeri i madh, vërtet i jashtëzakonshëm dhe me një lloj humori të çuditshëm. Bënte batuta duke qenë serioz dhe nuk e dije kurrë nëse duhej të qeshje apo jo. Për karrierën time ishte thelbësor.
Përveçse më mundësoi debutimin, kur isha 17 vjeç deshi që të mbetesha portier i dytë te Roma, edhe pse zakonisht të rinjtë dërgoheshin në Serie B për të marrë përvojë. Ai pati një besim të madh tek unë. Fliste pak, por të bënte të kuptoje shumë gjëra. Ishte shumë i këndshëm dhe i përzemërt”.
Çfarë i ka lënë ky sport: “Më shumë se të fitoja një trofe, ishte dashuria e tifozëve që më ka dhënë kënaqësi. Sa herë që jam kthyer si ish-lojtar kam marrë duartrokitjet e tribunës. Kur largohesh dhe vitin pasues merr një përqafim të tillë, është gëzim i madh. Kjo do të thotë se ke bërë mirë, ke lënë një kujtim të bukur dhe ke qenë korrekt. Për mua kjo vlen sa një trofe”.
The post Peruzzi dhe jeta larg futbollit: Më pëlqen të punoj tokën, gjërat e fshatit më japin gëzim appeared first on Telesport.