​Mos certifikimi i Listës Serbe, deklarohen nga Qeveria

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka deklaruar se çështja e moscertifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet lokale nuk është e re dhe se është diskutuar në mënyrë të përsëritur me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë edhe në takimet e rregullta me zëvendësambasadoren amerikane në Kosovë, Anu Prattipati.

Në një deklaratë për media, Kryeziu theksoi se qëndrimi i kryeministrit Albin Kurti dhe i subjektit politik që ai drejton, Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ka qenë gjithmonë i qartë dhe konsekuent: Lista Serbe nuk është një parti politike normale dhe nuk vepron në përputhje me rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

“Me 23 dhjetor të vitit të kaluar, përfaqësuesit e LVV-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve votuan kundër certifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025. Prej atëherë, nuk kemi parë përmirësim, përkundrazi – ka edhe më shumë fakte, të dhëna dhe argumente që dëshmojnë se kjo nuk është një parti e zakonshme politike,” tha Kryeziu.

Ai rikujtoi se kryetari de facto i kësaj liste, Milan Radoiçiq, tashmë është i akuzuar bashkë me 44 persona të tjerë për sulmin terrorist dhe paramilitar në Banjskë më 24 shtator 2023, ku humbi jetën rreshteri i Policisë së Kosovës, heroi Afrim Bunjaku.

Sipas Kryeziut, Lista Serbe është e instrumentalizuar nga strukturat ilegale dhe paralele të Serbisë në Kosovë, duke vepruar si një platformë politike e Beogradit në territorin e Kosovës. Ai theksoi se serbët e Kosovës kanë mundësi të përfaqësohen politikisht në mënyrë të ligjshme dhe të ndershme, duke përmendur se tashmë 12 subjekte të tjera politike serbe – përfshirë 4 parti, 6 iniciativa qytetare dhe 2 kandidatë të pavarur – janë certifikuar nga KQZ për zgjedhjet lokale të tetorit.

“Është e padrejtë dhe jo demokratike që ato të anashkalohen për hir të një partie që nuk përfaqëson interesat e qytetarëve serbë të Kosovës, por të Beogradit zyrtar,” tha zëdhënësi i qeverisë.

Kryeziu gjithashtu rikujtoi se më 29 qershor 2023, Qeveria e Kosovës i ka shpallur organizata terroriste të ashtuquajturat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada Veriore”. “Në atë kohë na kritikuan, por koha e dëshmoi se kemi pasur të drejtë,” theksoi ai.

Në fund, Kryeziu sqaroi se Qeveria e Kosovës nuk ndalon asnjë parti politike, përfshirë as Listën Serbe, por i takon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të marrë vendime në përputhje me ligjin dhe kushtetutën. Ai gjithashtu u bëri thirrje organeve të drejtësisë që të veprojnë mbi bazën e informacioneve të besueshme dhe provave që disponojnë institucionet e sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës.

The post ​Mos certifikimi i Listës Serbe, deklarohen nga Qeveria appeared first on Kosovapost.net.