“Të luash në fushë mbi 80 vjeç? Po, është e mundur. Sigurisht, nëse je në formë dhe stërvitesh. Në fund të fundit, në atë moshë je vetëm një djalë i rritur”. Kështu shprehet Lamberto Boranga, mjek i specializuar në kardiologji dhe mjekësi sportive, i cili po përgatitet të kthehet në fushë si portier me Trevin, në kategorinë e parë, në moshën 82-vjeçare.
“Sot të rriturit kanë më shumë interes sesa të rinjtë, unë jam gjithmonë në lëvizje. Nuk shoh televisor, as lexoj Gazeta, – ka thënë ai për agjencinë “Ansa”. – Çfarë do t’i thoja një pacienti nëse do më tregonte se dëshiron të bëhet sportist në moshën 82-vjeçare? Do ta pyesja: A je stërvitur? A je në formë? Do t’i bëja të gjitha kontrollet mjekësore të nevojshme, siç bëj edhe unë, dhe pastaj, nëse çdo gjë del në rregull, do t’i thoja: po, mund të vazhdosh”.
Boranga sapo ka firmosur regjistrimin me Trevin: “Do të luaj një ndeshje në tetor dhe pastaj do të shohim. Nuk kam ndërmend të hyj në dhomën e zhveshjes dhe të komandoj. Në tetor do të marr pjesë edhe në kampionatin europian master të atletikës së lehtë në Madeira. Unë stërvitem gjithmonë: kërcim së gjati, kërcim tresh, kërcim me shkop, në çdo disiplinë”.
Prej një muaji, kardiologu-portier po stërvitet për t’u kthyer në fushë: “Stërvitem me Marco Bonaiuti, që tek Interi ka ndjekur Samir Handanovic. Kam ndjesi të mira, por nuk e di nëse do arrij ta luaj gjithë ndeshjen”.
Boranga ka zgjedhur të kthehet te Trevi, klub me të cilin është veçanërisht i lidhur. “I ri isha paksa i shpërqendruar dhe futbolli më ndihmoi jashtëzakonisht shumë”, – ka përfunduar ai.
The post E PABESUESHME! Në moshën 82-vjeçare kthehet në fushë si portier me Trevin: Jam thjesht një djalë i rritur… appeared first on Telesport.










