Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me zëvendësministrin në detyrë të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Jeton Raka, vizitoi sot komunën e Shtimes. Aty u mirëpritën nga kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu.
Ata fillimisht vizituan punimet e sapofilluara për rivitalizimin e rrugës “Ibrahim Shabani”, rrugë kjo që lidh Shtimen me Ferizajn dhe Lipjanin, transmeton KosovaPost.
“Rruga ka gjatësi dy kilometra dhe gjerësi prej pesë metrave. Vlera e projektit është 419,750 euro dhe financohet nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Punimet pritet të përfundojnë brenda një viti. Me këtë rast, kryeministri uroi punime të mbara dhe të shpejta, ashtu që banorët e kësaj zone ta gëzojnë sa më parë këtë projekt të rëndësishëm për ta”, thuhet në njoftim.
Nga aty, Kurti vazhdoi për në qytetin e Shtimes, ku mori pjesë në ceremoninë e përurimit të trasesë që lidh rrugën “12 Qershori” me “William Walker” në kuadër të unazës së vogël të qytetit, një investim në vlerë gati gjysmë milionë euro.
“Traseja është e gjatë 375 metra dhe gjerësi gjashtë metra, dhe ka të gjithë infrastrukturën përcjellëse, si rrjedhën e kanalizimit atmosferik, ndriçimin publik dhe trotuarin në dy anët. Me rastin e përurimit, ai u shpreh se shpesh vijmë e kthehemi në Shtime për shkak të investimeve të vlefshme, të cilat po i bëjmë edhe si Qeveri e Republikës së Kosovës, por edhe si Komunë e Shtimes, teksa falënderoi banorët për mikpritjen e përzemërt dhe i uroi për projektet që po finalizohen”, thuhet në njoftimin nga ZKM.
The post Kurti në Shtime sheh nga afër punimet në rrugën “Ibrahim Shabani” dhe përuron trasenë që lidh rrugën “12 Qershori” me “William Walker” appeared first on Kosovapost.net.