Pas dorëheqjes së Shpend Ahmetit nga Vetëvendosje, në partinë më të madhe opozitare, LDK, kanë thënë se megjithatë, ai është kryetar i Prishtinës me vota qytetare.
Halim Halimi, nga LDK-ja, e ka pranuar se kjo situatë e komplikon funksionimin e KK-së, shkruan Koha Ditore.
“Partia nuk e ka më shumicën në KK, dhe LVV-ja më nuk mbetet Grupi më i madh i këshilltarëve komunalë. Por se këtë epitet do ta mbajë LDK-ja”, ka thënë Halimi.
Sipas tij, kuvendarët e LVV-së, e që sipas tij tanimë janë 13, si të ndarë do të krijojnë grup të veçantë parlamentar. Përderisa me Shpendin, sipas tij, janë pozicionuar vetëm 4 anëtarë.
“Mendoj se tani e tutje do të ketë vështirësi të jashtëzakonshme në funksionimin e tërësishëm të Komunës, edhe në qeverinë lokale e edhe në Kuvend”, ka thënë Halimi.
Sipas tij, ky është një lajm jashtëzakonisht i keq për qytetarët e Prishtinës, meqë që në fillim të këtij mandati po jepet përshtypja që kjo qeveri komunale nuk do të punojë asgjë.
“Kështu që jam i bindur se qytetarët shumë shpejt do të kërkojnë zgjedhje të parakohshme lokale për Prishtinën”, ka thënë Halimi.