Nga Jashari tek Estupiñán (dhe Højlund); Milani në kërkim të agresivitetit të humbur

Kur një sezon përfundon në mënyrë sportivisht të dështuar, klubi është i thirrur të bëjë analiza të thella për të identifikuar shkaqet dhe shmangur përsëritjen e tyre. Është e qartë se duhet gërmuar më thellë, pa u kufizuar te banaliteti sipërfaqësor i sulmuesit që nuk shënon, ose portierit që pëson shumë gola.

Shfrytëzimi i fluksit të madh të të dhënave të disponueshme ndihmon edhe për të përcaktuar një linjë më të mirë në merkaton pasardhëse. Përforcimet e reja duhet të zgjidhen jo vetëm mbi bazën e aftësive individuale, por edhe përfitimeve potenciale që sjellin në përputhje me identitetin që dëshiron t’i japësh skuadrës. Pra, nëse dëshiron ta ndërtosh skuadrën më të orientuar te loja, më kundërsulmuese, më agresive, më fizike e kështu me radhë.

Në këtë kuadër, Tare dhe Allegri, ndër shumë vlerësime, kanë nxjerrë në pah një të dhënë që ka gjeneruar reflektime. Milani e mbylli sezonin e kaluar në vendin e tretë nga fundi për numrin e faulleve të kryera: 415. Më “të pastër” se kuqezinjtë ishin vetëm Roma (406) dhe Parma (405). Në podiumin e “të këqijve” u renditën Verona (579 faulle), Empoli (570) dhe Udinese (543).

Kjo statistikë, e shkëputur nga konteksti, thotë relativisht pak. Gjithsesi, duke parë sezonin e kaluar, mund të ofrojë padyshim një shpjegim për disa nga vështirësitë e kuqezinjve. Sa herë kemi parë një Milan pak të bindur, pak luftarak, thuajse të dorëzuar ndaj ritmit të kundërshtarëve, i paaftë për të dhënë “shkëndija”, edhe duke përdorur më shumë “ashpërsi agonistike” se ç’duhej?

Sigurisht, në thelb skuadrat që përpiqen të ndërtojnë më shumë lojë, rrallë dallohen për grintë. Agresiviteti, si kolektivisht, ashtu edhe individualisht, është prej vitesh një përbërës i domosdoshëm në futboll. Dhe pikërisht në këtë drejtim, klubi kuqezi është orientuar në merkaton e verës, duke kërkuar lojtarë agresivë si Jashari, Estupiñán dhe Athekame.

Edhe Højlund, ndonëse nuk bën pjesë te sulmuesit “e ashpër”, ka në ADN qasje agresive ndaj mbrojtjeve kundërshtare. Një vijë udhëzuese që, natyrisht, nuk vlen për të gjithë. Modrić është padyshim profil tjetër, por në skuadër tashmë kishte elementë të tillë si Fofana, Loftus-Cheek dhe Pavlović.

Jashari, në këtë kontekst, e ka konfirmuar që në paraqitjen e parë atë që thuhej për të: lojtar i plotë që di të sillet me topin, por është po aq i vlefshëm edhe kur bëhet fjalë për ta rimarrë atë nga këmbët e kundërshtarëve.

The post Nga Jashari tek Estupiñán (dhe Højlund); Milani në kërkim të agresivitetit të humbur appeared first on Telesport.