Marcus Rashford është përforcimi i madh i Barcelonës këtë sezon për repartin e sulmit. Anglezi dëshiron të rikthehet ai që mahniti Europën disa vite më parë, beson se te Barcelona mund t’ia arrijë. Rashford ka ardhur për të fituar gjithçka në Spanjë. Në intervistën për “Sport” pati mjaft elozhe në adresë të Lamine Yamal.
Debutimi në Mallorca – “Kaloi mirë, një eksperiencë e re, por e këndshme. Sa më shumë të luaj në këtë kampionat, aq më i mirë do të bëhem. Ishte me mjaft rëndësi ta nisnim sezonin me fitore. Është e vërtetë që ndeshja ishte e çuditshme, me dy kartonë të kuq, por ishte e rëndësishme të fitonim”.
Ta nisësh nga stoli – “Është diçka e re për mua, por objektivi mbetet i njëjtë: të fitojmë ndeshjen. Nuk ka rëndësi si arrijmë deri aty, e rëndësishme është të marrim fitoren dhe tri pikët”.
Përshtatja – “Jam duke u përshtatur me ambientin e ri, ndryshimin e ritmit dhe stilit të futbollit. Vendi më i mirë për ta bërë këtë është fusha. Do të bëj gabime, por po ashtu do të mësoj shumë dhe do të përmirësohem. Cilësia e lojtarëve këtu më ndihmon shumë dhe, siç e thashë, për mua vendi më i mirë për të mësuar është fusha”.
Lamine Yamal – “Është një talent i nivelit më të lartë, lojtar i madh. Gjëja më befasuese është pjekuria e tij për moshën që ka; si mendon dhe si luan. Është shumë më lart se mosha e tij. Është emocionuese të luaj me të dhe me të tjerët, gjithashtu. Si person është një 18-vjeçar, gjithmonë gazmor, duke qeshur dhe bërë shaka me shokët. Është stimuluese të jesh në një dhomë zhveshjeje me kaq shumë të rinj. Më kujton veten time kur isha në moshën e tij… Po, është lojtari më i talentuar me të cilin kam luajtur në raport me moshën e tij. Nuk kam parë ndonjë tjetër me ndikimin që ai ka në lojë. Ndoshta vetëm Ronaldo Nazario, ‘Fenomeni’. Të kesh një ndikim kaq të madh në fushë, duke qenë kaq i ri dhe në mënyrë kaq të qëndrueshme, është e pabesueshme. Lamine ka një karrierë të gjatë përpara, shpresoj ta mbajë këtë nivel dhe madje ta përmirësojë”.
Duhet fituar Liga e Kampionëve – “Po, sigurisht. Jo vetëm Champions-i, por duhet fituar gjithçka. Barça pati një sezon të kaluar të madh, tani duhet ta harrojmë atë, të përpiqemi ta përsërisim dhe të bëjmë më mirë”.
Hansi Flick – “Është një trajner shumë direkt. Kjo është e rëndësishme, sidomos me kaq shumë lojtarë të rinj në ekip, ku drejtimi duhet të jetë i qartë. Motivimi i tij është shumë i madh për të bërë më mirë se sezoni i kaluar. Kjo është gjëja kryesore që të bën të besosh se ekipi do të ketë sukses. Është një trajner special, që di të punojë me lojtarë specialë. Jam i emocionuar në këtë mjedis kaq kërkues dhe ambicioz”.
The post Rashford, pa limite: Jo vetëm Champions-in, dua të fitoj gjithçka me Barcelonën appeared first on Telesport.