Veseli: Një tokë që lind burra si Ilaz Kodra, të ardhmen e ka të sigurt

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të shtatores së heroit Ilaz Kodra, në Drenas.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot, në ceremoninë e përurimit të shtatores së heroit Ilaz Kodra, në Drenas, ka thënë se kujtimi dhe nderimi për heronjtë do të jenë të përjetshëm, ashtu sikurse është vet liria e Kosovës, shteti ynë i pavarur dhe sovran, pjesë integrale e botës perëndimore.

“Sot në Drenas ne po e përjetësojmë Ilazin. Drenicë, Kosovë, ndihuni krenarë me djemtë tuaj. Drenas, ndihu krenar me Ilazin. Ai ishte këtu çdo ditë, kur t’u desh, kur të frikësonin e të dhunonin. Ai ishte këtu të të mbronte, ai ishte këtu të të çlironte. Ai nuk po përjetësohet vetëm sot me shtatore. Në fakt, heroi i kombit, Ilaz Kodra, e ka përjetësuar vetveten 27 vite më herët, kur me zemrën e dragoit, i mbolli vdekjen pushtuesit serb. Ilaz Kodra ishte i pari ndër të parët, bashkë me Komandantin Legjendar Adem Jashari, themelues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai ishte njëri nga aksionistët e parë të armëve të lirisë, pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në aksionet e viteve 1992-1993”, tha kryeparlamentari Veseli.

Kreu i Kuvendit po ashtu tha se në kohën më të vështirë të luftës në Kosovë, ishte Drenica, ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ishte Adem Jashari, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Rasim Kiçina, Bedria Shala, Xhevat Demaku, doktor Hafiri, doktor Leci, Mujë Krasniqi, Ragip Halilaj, Abaz Thaçi, ishte Ilaz Kadra, ata që shporrën përjetë Serbinë nga trojet tona.

“Në pak luftëra dhe më pak beteja ndodhë të vriten dy nga komandantë të brigadave. Kjo ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës, kjo ishte Brigada ‘Fehmi Lladrovci’. Të dy komandantët e kësaj brigade ranë në altarin e lirisë. Ra Fehmi Lladrovci, me Xhevën, ra edhe Ilaz Kodra, komandant. Vajza të Ilazit, të jeni krenare me babanë tuaj, heroin e kombit Ilaz Kodra, ashtu siç ndihet krenar secili bashkëluftëtar i tij dhe secili shqiptar kudo në botë”, tha Veseli, duke shtuar se liria dhe shteti i Kosovës janë të shenjta.

“Kosova është vend i shenjtë për ne. Është e shenjtë liria, është i shenjtë shteti ynë. Do ta ruajmë, do ta mbrojmë dhe do ta çojmë përpara me mençuri dhe maturi, për arsye se ky është edhe amaneti i heronjve si Ilazi”, tha kryeparlamentari Veseli.​ /Lajmi.net/