Gjyqtari Llaban kishte kërkuar përjashtimin e tij nga rastet e seancës konstituive

Me publikimin e këtij vendimi rrjedh edhe afati 30-ditor i përcaktuar nga Kushtetuesja për deputetët dhe kësisoj këta të fundit nga sot (18.09.2025) mund të mblidhen për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se më 7 gusht 2025, gjyqtari Radomir Llaban kërkoi përjashtimin e tij nga vendimmarrja nga rastet KO193/25 dhe KO196/25 si dhe KO215/25, që janë kërkesat e dërguara ndarasi nga PDK-ja, LDK-ja dhe presidentja Vjosa Osmani në lidhje me seancën konsituive.

Mirëpo, sipas aktgjykimit, të njëjtën ditë, Gjykata njëzëri, refuzoi kërkesën për përjashtim të gjyqtarit Radomir Llaban.

Llaban kishte kërkuar vetëpërjashtim nga ky rast dy ditë pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte tërhequr kërkesën që ia kishte parashtruar Gjykatës Kushtetuese më 22.07.2025, në lidhje me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, pasi sipas saj, gjyqtar raportues i lëndës është caktuar Radomir Llaban, i cili sipas saj, ka veprimtari që paraqet rrezik për rendin kushtetues në Kosovë.