Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, ka njoftuar se në këtë entitet të Bosnje e Hercegovinës do të mbahet referendum në fund të shtatorit. Këtë e tha ai në një konferencë për media në Banja Llukë, në të cilën kryeministri i entitetit, Radovan Vishkoviq, dha dorëheqje.
Shpallja e referendumit erdhi pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Bosnje e Hercegovinës (KQZ) ia hoqi Dodikut mandatin për postin e presidentit të Republikës Sërpska. Dodik kërkon që për këtë çështje të shprehen qytetarët.
Vendimi i KQZ-së u mor pak ditë pasi Gjykata e Bosnjës, në fillim të gushtit, e shpalli Dodikun fajtor dhe e dënoi me një vit burgim, si dhe me gjashtë vjet ndalim për ushtrimin e funksioneve publike, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar.
“Ne kërkojmë respekt dhe liri, e cila do të vijë përmes referendumit. Kjo është porosia jonë – na ktheni te Marrëveshja e Dejtonit. Qëndrimin tonë do ta japim në referendumin që do të mbahet në fund të shtatorit”, tha Dodik.
Ekipi i tij ligjor ka ushtruar ankesë ndaj vendimit të KQZ-së, e cila tashmë është dërguar për shqyrtim në Gjykatën e Bosnjës. Sipas ligjit, më 18 gusht skadon afati treditor brenda të cilit Dhoma e Apelit e kësaj gjykate duhet të marrë vendim.
Ky vendim do të jetë përfundimtar dhe do të përcaktojë nëse Dodik mbetet në detyrë apo mandati i tij zyrtarisht përfundon.
Nëse ankesa refuzohet, KQZ duhet të shpallë zgjedhje të parakohshme për presidentin e Republikës Sërpska, të cilat duhet të mbahen brenda 90 ditësh. Mandati i presidentit të ri do të zgjasë deri në zgjedhjet e përgjithshme të planifikuara për tetorin e vitit të ardhshëm.
Pse referendumi konsiderohet jokushtetues?
Kushtetuta e Bosnje e Hercegovinës nuk përmban dispozita që ndalojnë apo lejojnë qartë referendumet, por asnjë nivel më i ulët i qeverisjes nuk mund të organizojë referendum për çështje që bien nën juridiksionin dhe kompetencat e shtetit të Bosnje e Hercegovinës.
Dodik dhe aleatët e tij politikë në RS thonë se vendimi për heqjen e mandatit është i paligjshëm, duke u mbështetur në Kushtetutën e entitetit, ku thuhet se mandati i presidentit përfundon para kohe vetëm në rast dorëheqjeje ose shkarkimi.
Kërcënime të mëparshme me referendume
Kuvendi i RS-së për herë të parë miratoi vendim për referendum në vitin 2011, duke e caktuar atë për qershor të atij viti. Pyetja ishte: “A i mbështesni ligjet e vendosura nga përfaqësuesi i lartë në Bosnjë, sidomos ligjet për Gjykatën Shtetërore dhe Prokurorinë?”
Por, Dodik hoqi dorë nga referendumi pas një takimi me Catherine Ashton, asokohe përfaqësuese e lartë e Bashkimit Evropian për politikën e jashtme dhe sigurinë.
Në vitin 2016 u mbajt i vetmi referendum nën udhëheqjen e Dodikut – ai për Ditën e Republikës Sërpska. Gjykata Kushtetuese e Bosnjës më parë kishte anuluar vendimin për shpalljen e referendumit dhe më pas shpalli të pavlefshëm edhe rezultatet, duke e cilësuar atë jokushtetues.
Prokuroria e Bosnjës ngriti padi ndaj katër personave për moszbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por më pas e tërhoqi akuzën.
Ndër të pandehurit ishte edhe Sinisha Karan, sot ministër i Brendshëm i RS-së, asokohe kryetar i Komisionit të Referendumit. Dodik, si nismëtar, nuk u përfshi në aktakuzë.
The post Dodik paralajmëron referendum në fund të shtatorit appeared first on Kosovapost.net.