ZRRE s’njeh ligj e gjyqësor: i shkyç edhe kompanitë me ‘masë sigurie’ nga Gjykata

Me zellin e një urgjence të shfrenuar dhe pa i kursyer as kompanitë me ‘masë sigurie’ nga Gjykata Komerciale është duke vepruar Zyra e Rregullatorit të Energjisë. Siç kupton ‘Nacionale’, me urdhëresë të ZRRE-së, KEDS ka shkyçur nga shërbimi universal i furnizimit me energji elektrike edhe kompani që kanë fituar lëndën në Gjykatën Komerciale, Dhomat e Shkallës së Parë dhe që janë në pritje të vendimit në Shkallën e Dytë, ndërsa kanë ‘masë sigurie’ për të qëndruar në shërbim universal. Por, aq më keq për ‘masën e sigurisë’, të cilat as s’janë parë si relevante dhe fakt juridik për mosshkyçje. Nga ç’kupton më tej ‘Nacionale’ ka kompani që i është drejtuar edhe Policisë së Kosovës, por që të njëjtën, ndonëse kanë hapur rast, kanë mbajtur qëndrimin se “nuk merren” me rastin ngase si çështje i takon ZRRE-së.

Nga Oda Ekonomike e Kosovës kanë bërë të ditur se mbi 450 biznese janë shkyçur nga rrjeti elektrik gjatë vikendit – ndërsa shkyçjet po vazhdojnë. OEK veçse ka njoftuar se betejën ligjore do ta dërgojnë deri në Gjykatë Supreme. ZRRE në krejt këtë kohë nuk është bërë e gjallë që nga nisja e zbatimit të vendimit për zbatimin e tregut të liberalizuar – veçse kanë urdhëruar KEDS-in të procedojë me shkyçjet.

Alarmet janë ngritur për rrezikimin e së paku 22 mijë vendeve të punës, reduktim të prodhimit, humbje të konkurrueshmërisë së tyre në treg, mbyllje të reparteve prodhuese e deri te mbyllja apo falimentimi i plotë i fabrikave. Pusbteti i ditës, ndërkaq, ndaj krejt kësaj gjendjeje, s’ka gjetur të thotë asnjë fjalë. Plot 48 orë që kur u konkluaduan shkyçjet, Albin Kurti s’është lajmëruar as me fjalët e tij të preliminare se “jam me bizeset” dhe “do të ketë ndihmesa”. Artane Rizvanolli, deputete që ushtron edhe post ministreje në detyrë, javë më parë ka thënë se tashmë “është veç punë zbatimi”.

Çështja është ende pa vendim të formës së prerë nga gjykatat, ndërsa Dhomat e Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale i dhanë të drejtë “totalisht” bizneseve të afektuara, ndërsa ato të Shkallës së Dytë ZRRE-së. Që nga dje, ZRRE urdhëroi KEDS-in të nis shkyçjen e të gjithë bizneseve – 1 mijë e 300 prej tyre – të cilët s’kanë lidhur kontrata me furnizues të licensuar: por jo edhe Elektroserverin për pjesën e veriut të Kosovës: moszbatimi i të cilit vendim për atë pjesë do të përbënte edhe shkelje kushtetuese.

Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të Bordit të ZRRE-së dhe pezullimin e vendimit të tyre si dhe kërkesë deputetit Albin Kurti dhe Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, “që të mos heshtin”.

“Të mos heshtin, të veprojnë për të mbrojtur Republikën dhe ekonominë para se të bëhet vonë”, thanë ata përmes një komunikate për shtyp.

“Ndërprerja e energjisë për prodhuesit godet rëndë prodhimin vendor, minon besimin e investitorëve, dëmton imazhin ndërkombëtar të Kosovës dhe cënon mirëqnien e qytetarëve. Bizneset që përbëjnë 56% të ekonomisë dhe punësojnë mbi 140 mijë persona, nuk duhet të përballen me masa të padrejta dhe të paarsyeshme”, thuhet në komunikatën e tyre.