Një grua raporton se u keqtrajtua nga familjarët, policia sekuestron armë

Në stacionin policor në Ferizaj është raportuar një rast i “Lëndimit të lehtë trupor”, ku viktima është një grua 32-vjeçare.

Sipas deklaratës së saj, ajo është keqtrajtuar fizikisht në shtëpinë e saj nga vjehrri 62-vjeçar dhe vajza e tij 20-vjeçare, pas një mosmarrëveshjeje lidhur me pronësinë e një veture. Si pasojë e incidentit, viktima ka pësuar lëndime të lehta trupore dhe ka marrë trajtim mjekësor.

“Njësiti i hetimeve ka reaguar menjëherë duke dalë në vendin e ngjarjes. Gjatë kontrollit në shtëpi është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri – një pushkë automatike me dy karikatorë, e cila dyshohet se mbahej pa leje”, thuhet në njoftim.

Dy personat e dyshuar janë shoqëruar në stacionin policor dhe janë intervistuar nga hetuesit. Me vendim të prokurorit të shtetit, ndaj tyre janë iniciuar hetime për veprat penale “Lëndimi i lehtë trupor” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Pas intervistimit, të dyshuarit janë liruar dhe procedura ndaj tyre do të vazhdojë në mënyrë të rregullt.

The post Një grua raporton se u keqtrajtua nga familjarët, policia sekuestron armë appeared first on Kosovapost.net.