Profesori universitar, Shukri Klinaku në një shkrim autorial të drejtuar Ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi ka thirrur për një përkujdesje më të madhe të tij në përzgjedhjen e teksteve shkollore gjatë tenderimit, i cili është në proces.
“Korrupsioni në çdo fushë të veprimtarisë është i dëmshëm për përparimin e shtetit tonë, dhe atë në disa drejtime dhe sidomos në drejtim të rritjes së zhgënjimit të madh të qytetarëve ndaj organeve shtetërore. Mirëpo, korrupsioni eventual me tekste shkollore, përveç se bartë të gjitha dëmet që bartin korrupsionet në fushat tjera, bartë edhe dy dëme tjera shumë të mëdha. Dëmi i parë është se, në kopertinat e librave shkollor do të ketë shumë emra autorësh që janë bërë hallkë e zinxhirit të korrupsionit ndërmjet shtëpisë botuese dhe recensentëve; ndërsa në faqen e parë të librave do të ketë shumë emra recensentësh që janë korruptuar me një grusht para – pra, librat shkollorë do të ishin të mbushur me emra të njerëzve të zhytur në korrupsion. Dëmi i dytë dhe më i madhi është se, rreth 400 mijë nxënës do të mësonin edhe për disa vite me radhë nga librat me cilësi shumë më të dobët se sa Kosova është në gjendje të iu ofroj atyre.”, ka shkruar profesori në faqen e tij në FB.