“Nuk hyj në gropën e keqbërësve” – Lladrovci vazhdon përplasjet me degën e PDK-së në Drenas

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në ambientin politik lokal.

Lladrovci shprehet se ambienti politik në Drenas në kohë zgjedhjesh “mund të bëhet më i ashpër se në komunat tjera”, duke iu referuar përvojave nga fushatat e viteve 2016, 2017 dhe sidomos asaj të vitit 2021.

Ai thekson se atëherë “situata ishte agresive”, për shkak të afërsisë së zyrave të PDK-së me ato të “DD-së”, me një distancë jo më të madhe se 150 metra.

“Kujtoj këtu agresivitetin e shfaqur, provokimet dhe gjuhën e rrugaçëve të përdorur ndaj grave që kalonin pranë atyre zyrave. Në asnjë rast, nuk kam qenë në dijeni për ardhjen e ndonjë subjekti politik, në të njëjtën hyrje, në të njëjtin objekt. Vendosja e degës me logo të PDK-së një kat më lartë, është provokim dhe arrogancë, asgjë më pak. Skenar i keqbërësve e realizuar nga bedelët”, ka shkruar Lladrovci.

Në reagimin e tij, Lladrovci thotë se kishte vendosur të largohet nga zyrat në fjalë për të shmangur tensionet dhe ngatërresat, duke shtuar se “kusht i parë për ikje nga ngatërresa është distanca e selive. Fundja, nuk hyj në gropën që kanë hapur keqbërësit”.

Ai gjithashtu i është përgjigjur një deklarate të mëparshme nga Dega e PDK-së, duke e konsideruar si dëshmi që “ata tashmë e kanë humbur kontrollën”.

Sipas tij, “shpifja dhe ngatërresa është mjeti i vetëm që i ofrojnë qytetarit”.

Në fund të reagimit, Lladrovci shprehet me vendosmëri: “Bashkë me qytetarët do t’ua tregojmë vendin më 12 Tetor!”

The post “Nuk hyj në gropën e keqbërësve” – Lladrovci vazhdon përplasjet me degën e PDK-së në Drenas appeared first on Kosovapost.net.