Parashikimi i motit

Sot në Kosovë pritet të mbajë mot i paqëndrueshëm, me intervale kohore me diell dhe vranësira të shpeshta të cilat pritet të kushtëzojnë rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë. Temperaturat do të shënojnë ulje të lehta, ndërsa më të theksuara në zonat e rrebesheve të shiut dhe vranësirave.

Minimalja pritet të zbresë deri në 16 gradë Celsius, ndërsa maksimalja deri në 32 gradë Celsius.

Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi e diela vjen me diell dhe vranësira lokale. Pasdite do të ketë shtim të vranësirave dhe zhvillime konvektive me rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë. Nuk priten reshje në të gjitha viset.

Të Hënën do të ketë shtim të jo-stabiliteteve atmosferike. Priten vranësira të shpeshta, shpeshherë edhe të dendura me zhvillime të fuqishme konvektive dhe si pasojë priten rrebeshe të shpeshta lokale shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi për breshër. Vende-vende priten rrebeshe intensive dhe stuhi apo shtrëngata të fuqishme lokale me breshër.

Temperaturat do të shënojnë ulje dhe vala e nxehtësisë do të përfundojë përkohësisht.

Nga e Marta përmirësim dhe stabilizim gradual i motit dhe rritje e temperaturave./MeteoBallkan