Arrestohen e ndalohen 13 persona në Isniq të Deçanit për bixhoz

Prokuroria Themelore e Pejës, njofton se bashkë me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë me njësitet relevante, ka realizuar bastisje në fshatin Isniq të komunës së Deçanit, ku janë arrestuar në flagrancë dhe ndaluar për 48 orë trembëdhjetë (13) persona të dyshuar për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të kundërligjshëm” nga Kodi Penale i Republikës së Kosovës.

Ky aksion i udhëhequr nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore të Pejës, Lumturije Vuçetaj, ka rezultuar edhe me sekuestrimin e rreth shtatëmbëdhjetë (17) mijë eurove  nga të pandehurit bashkë me një armë të zjarrit, shufrua metalike dhe thika.

Po ashtu, janë sekuestruar edhe prova tjera materiale të cilat ndërlidhen me veprën penale të lartcekur dhe do të shërbejnë në këtë procedurë penale.

“Prokurori i shteti brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë ndaj të pandehurve për sigurimin e tyre në procedurë penale për veprimet e mëtutjeshme ligjore të parapara me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës”, njofton Prokuroria Themelore e Pejës.