“Kupa e Italisë është objektiv sezonal, Tare ka punuar shumë mirë në merkato”

Në prag të sfidës së Kupës së Italisë kundër Barit, trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, ka folur ekskluzivisht për “Mediaset”. Për kuqezinjtë kjo është ndeshja e parë zyrtare e sezonit të ri, pas miqësoreve të luajtura këtë verë.

“Ka shumë entuziazëm, i falënderojmë të gjithë tifozët që do të jenë në stadium. Duhet të tregojmë përgjegjësi, të zhvillojmë një ndeshje të rregullt dhe me teknikë të lartë”, – tha trajneri livornez, i cili nesër nuk do të jetë në pankinë për shkak të skualifikimit të marrë në finalen e Kupës së Italisë 2024.

Në “San Siro” do të zbresë Bari, që sezonin e kaluar e mbylli në vendin e 9-të të Serie B, por që e nis edicionin e ri me Fabio Caserta në pankinë, në vend të Moreno Longo: “Duhet të kemi respekt maksimal, Bari është një skuadër e organizuar dhe me trajner të mirë, që ka bërë përgatitje të mira verore. Nesër ka rëndësi vetëm fitorja, duhet të shkojmë përpara për të mbërritur në finale të kësaj gare në maj”.

Me Milanin jashtë kupave europiane, Kupa e Italisë bëhet një objektiv i vërtetë sezonal: “Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne në aspektin mendor. Duhet të bëjmë një hap përpara. Kampionati do të luhet në 38 javë dhe aty do të duhet të ruajmë një ekuilibër të madh”.

Duke folur mes fushës dhe merkatos, Allegri vlerësoi punën e bërë në muajt e parë të rikthimit të tij në pankinën kuqezi: “Besoj se Milani, si klub, ka punuar shumë mirë. Tare ka punuar shumë mirë. Të rinjtë janë integruar në mënyrë shumë pozitive, ka një shpirt të mirë brenda grupit”.

The post “Kupa e Italisë është objektiv sezonal, Tare ka punuar shumë mirë në merkato” appeared first on Telesport.