Ka qenë një nga transferimet më të mëdha të verës, me ulje-ngritje në negociata që shpesh krijuan shijen e pasigurisë. Në fund, Milan ia doli plotësisht, u përputh me disa kërkesa të Club Brugge dhe bleu Ardon Jasharin, mesfushorin që do të jetë thelbësor në lojën e Massimiliano Allegri. Ky operacion merkatoje u realizua për 34 milionë euro si bazë fikse, plus 3 milionë bonuse.
Çfarë sjell Jashari te Milani
I majtë me këmbë, zvicerani me origjinë shqiptare është një mesfushor i kompletuar, që kombinon ndërtimin e lojës me ndërprerjen e aksioneve të kundërshtarit. Me fizik të mirë (181 cm), ai ka aftësi në kontrollin e topit dhe vizion gjatë lojës. Mund të luajë si “box to box”, te Brugges ka luajtur si në mesfushë dyshe (4-2-3-1, sezonin e fundit), ashtu edhe treshe.
Një nga tiparet e tij është gatishmëria për t’u tërhequr dhe ndihmuar qendërmbrojtësit në ndërtimin e lojës nga pas. Jashari ka aftësi të shkëlqyera në pasimet drejt zonës së fundit dhe ato të gjata, duke qenë konstant në pesëshen më të mirë të kampionatit belg në këto statistika, sidomos për kërkimin e thellësisë qendrore.
Si mund të ndryshojë mesfusha e Allegrit
Jashari është përforcimi i tretë, pas Samuele Ricci dhe Luka Modric, në një repart që ka humbur Tijjani Reijnders. Në rotacione, sigurisht do t’i bashkohen Youssouf Fofana dhe Ruben Loftus-Cheek, ndërsa Bondo, Adli dhe Bennacer pritet të largohen (edhe pse i pari dëshiron të qëndrojë dhe mund ta bëjë për arsye rotacioni). Në letër, në bazë të tregut, i rrezikuari kryesor për ta humbur vendin si titullar është mesfushori francez, i cili jep forcë fizike dhe sasi, teksa sezonin e kaluar ka qenë titullar i pandryshuar.
Nga ky këndvështrim, Jashari mund të zëvendësojë edhe Ricci, edhe Modric. Nga kroati, për arsye moshe (40 vjeç mbush muajin tjetër) nuk është i garantuar minutazhi shumë i lartë, edhe pse sezonin e kaluar luajti 35 ndeshje kampionati me Real Madridin (17 si titullar) dhe gjithsej 63 ndeshje. Me Jasharin në formacion, Milani bëhet skuadër e kompletuar, ndërsa Allegri do të duhet të gjejë ekuilibrin e duhur midis sasisë dhe cilësisë në mesfushë.
The post “Motori” i ri i Milanit, por sa mundim për ta pasur… Gjithçka duhet të dini për Ardon Jashari appeared first on Telesport.