Asociacioni i gazetarëve të Kosovës, e ka mirëpritur vendimin e sotëm të Qeverisë në Detyrë për të miratuar një kredi prej 2.5 milion eurosh për RTK-në.
AGK, thotë se përmes këtij vendimi mundësohet funksionimi në së paku tre muajt e ardhshëm për televizionin publik si dhe ekzekutimi i pagave për 700 punonjësit e saj.
“AGK-ja ka qëndruar pranë gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të RTK-së që prej fillimit dhe i përgëzon ata për kryerjen e detyrave me gjithë presionin financiar”, thuhet në njoftim.
Tutje AGK-ja e fton Qeverinë në detyrë dhe VV-në, që ta ndalojë presionin e vazhdueshëm politik ndaj RTK-së, të ushtruar në forma të ndryshme.
“AGK-ja bën thirrje që legjislatura e re të miratojë një Ligj të ri për Transmetuesin Publik, që do të garantonte funksionimin e pavarur e të papenguar të RTK-së, duke përfshirë edhe gjetjen e zgjidhjes për pronën”, u tha në fund në deklaratën e AGK-së.
Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka miratuar sot në parim kërkesën e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) për huamarrje deri në shumën prej 2,540,000 euro, me qëllim mbulimin e nevojave për likuiditet të transmetuesit publik.