Kurti në meshën solemne për kremtimin e festës së Zojës së Bekuar, bën thirrje të përhershme për paqe, pajtim dhe hapje të zemrës ndaj njëri-tjetrit

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në meshën solemne me rastin e kremtimit të festës së Zojës së Bekuar, që u mbajt në shenjtëroren e Ipeshkvisë së Kosovës në Letnicë, të komunës së Vitisë.

Në këtë ditë kremteje, kryeministri e cilësoi Letnicën si vend lutjeje dhe bashkimi për të gjithë njerëzit, një vend ku gjendet qetësia shpirtërore, duke theksuar se para kësaj trupore janë përkulur breza të tërë, pa dallim feje apo kombi, apo krahine – kroatë, shqiptarë katolikë e myslimanë, shkupjanë e shkodranë, romë, ortodoksë serbë e maqedonas, agnostikë, ateistë dhe shumë të tjerë – për t’u lutur me përulësi.

Ai tha se famullia e Letnicës është një pasuri e madhe historike për Kosovën dhe më gjerë, derisa potencoi se bartja e trupores së “Zonjës së Bekuar”, nga Shkupi dhe vendosja e saj në Letnicë, aty ku ndodhet edhe sot, u bë simbol i bashkimit, shpresës dhe besimit të palëkundur.

Sot nuk jemi thjesht pjesëmarrës në një festë, tha më tej ai, por jemi pjesë e një familjeje të madhe shpirtërore, të bashkuar në Letnicë nga dashuria për Zojën Mari, Nënën e Jezusit. Andaj, tha se nga ky vend duhet të lëshojmë një thirrje të përhershme për paqe, pajtim dhe hapje të zemrës ndaj njëri-tjetrit.

“Zoti e bekoftë Letnicën, dhe ndërmjetësinë e Zojës së Madhe, Kosovën tonë dhe të gjithë ata që me besim të plotë vizitojnë këtë tokë të shenjtë. Amen”, tha në fund të fjalës kryeministri Kurti.

The post Kurti në meshën solemne për kremtimin e festës së Zojës së Bekuar, bën thirrje të përhershme për paqe, pajtim dhe hapje të zemrës ndaj njëri-tjetrit appeared first on Kosovapost.net.