Franco Mastantuono u prezantua si lojtar i Real Madridit, në një ceremoni në Valdebebas, në praninë e presidentit Florentino Pérez, drejtuesve të klubit dhe familjes së tij. Ngjarja përkoi me përvjetorin e tij të 18-të të lindjes, duke shënuar edhe bashkimin përfundimtar me klubin madrilen.
Argjentinasi do të mbajë fanellën me numrin 30, të njëjtin që kishte te River Plate, një numër i rezervuar për lojtarët e ekipit të dytë, por që në të kaluarën e ka mbajtur edhe Vinicius para se të bëhej titullar.
Florentino Pérez e përshkroi si “një nga talentet më të mëdhenj që ka dalë në futbollin botëror vitet e fundit” dhe i tha në sy: “Që sot vesh fanellën e bardhë, të 15 Kupave të Europës. Faleminderit që deshe të jesh këtu me ne!”
Mastantuono, i emocionuar, u shpreh: “Kam shumë për të mësuar, por vlerat e mia vijnë nga familja. Premtoj se do të jap gjithçka për këtë fanellë. Brenda fushës do të keni një tifoz më shumë”.
Në konferencë, ai tregoi se Xabi Alonso i ka dhënë shumë besim për të realizuar ëndrrën e tij dhe se Bellingham e priti ngrohtësisht: “Jude është lojtar që e admiroj shumë, ishte e mrekullueshme ta takoja”.
I pyetur për idhujt e tij, nuk pati dyshime: “Për mua, Leo Messi është lojtari më i mirë në botë. Të tjerë si Alfredo Di Stéfano nuk kam mundur t’i shoh, por frymëzohem shumë prej tyre”.
Ai konfirmoi se vetë ia kërkoi presidentit numrin 30: “Është një numër i veçantë për mua”.
Që nga e premtja, Mastantuono nis stërvitjen me ekipin e bardhë, duke u shprehur se është gati për çdo kërkesë të trajnerit Xabi Alonso dhe se e ka pritur këtë moment me “emocion dhe ankth pozitiv”.
The post Te Real Madridi, “armiku” i Barcelonës, por nuk e fsheh: Idhulli im i madh është… Messi appeared first on Telesport.