Pas negociatave të gjata, Ardon Jashari dhe Milani janë takuar në të njëjtën anë të historisë. Mesfushori shqiptaro-zviceran ka debutuar tashmë në miqësore, por gjithmonë ka dëshiruar ta veshë fanellën kuqezi. Klubi e prezantoi zyrtarisht para mediave: “Të luash për këtë klub sjell presion të jashtëzakonshëm, por është normale të jetë kështu. Do të punoj shumë për ta shpërblyer besimin. De Ketelaere? E vetmja gjë që kemi të përbashkët është klubi prej nga vijmë”.
Kuqezi pas negociatave të gjata: “Të gjithë e dinë që ka qenë një ‘telenovelë’ e gjatë, por qysh nga kontaktet e para me Igli Tare u bë i qartë vullneti im për ta hedhur këtë hap. E dija se do të ishte negociatë e vështirë, pasi isha i rëndësishëm për Brugge dhe nuk do të më lironin lehtë. Tare më bëri të kuptoj se do të tentonte gjithçka për të më sjellë te Milani. Edhe vetë isha tejet i vendosur, pasi ia kisha dhënë fjalën Tares dhe Ibrahimovic”.
Përshtypjet për klubin kuqezi: “Jam këtu prej pak kohësh, por nga dita e parë më dha ndjesinë e ekuilibrit të duhur midis profesionalizmit brenda dhe jashtë fushës. Ka harmoni në dhomën e zhveshjes, por më pas në fushë të gjithë e dinë se vetëm fitorja ka rëndësi”.
Debutimi i tij në Dublin la mbresa te trajneri Allegri: “E falënderoj publikisht për ato fjalë. Nuk ishte e lehtë, sepse nuk kisha luajtur ndeshje për dy muaj, por në fushë ndjeva liri të bëja lojën time dhe të ndërtoja aksione të mira, edhe pse pas vetëm dy ditësh këtu nuk ishte e thjeshtë”.
Qysh i vogël tifoz i Milanit, shumë i impresionuar nga Pirlo: “Gjithmonë e kam thënë se Prilon e ndiqja me vëmendje. Kemi edhe një histori të ngjashme, sepse edhe unë, në fillim të karrierës, kam luajtur si trekuartist, tani kam një pozicion më të thellë. Natyrisht nuk mund të bëj krahasime të tjera, por Pirlo ka qenë një frymëzim i madh për stilin tim të lojës”.
Në mesfushë, Jashari do të luajë me Luka Modric, fitues i “Topit të Artë”: “Të gjithë e dinë sa kampionë e kanë veshur këtë fanellë gjatë historisë së klubit. Është e jashtëzakonshme të luash me një lojtar me kaq eksperiencë dhe padyshim që të ndihmon. Do përpiqem ta shijoj këtë eksperiencë duke u rritur pranë tij”.
Mezi po e pret debutimin në “San Siro” me fanellën e Milanit: “Kur isha i vogël kam ardhur disa herë në këtë stadium. Gjithmonë kam ëndërruar të bëhesha profesionist, jam rritur duke bërë tifo për Milanin. Ta vesh këtë fanellë është e jashtëzakonshme, nuk di t’i gjej fjalët e duhura”.
Në kontekstin taktik të Allegrit, ai mund të luajë në disa pozicione: “Trajneri do të vendosë si dhe ku do më aktivizojë. Në futbollin modern, sidomos në mesfushë, ka shumë rotacione dhe duhet të përshtatesh me situata të ndryshme. Nga ana ime nuk ka problem, kam luajtur si regjisor dhe trekuartist, e di çfarë duhet bërë në pozicione të ndryshme. Mendoj se do ta ndihmoj skuadrën në të dyja fazat, duke kontribuar në ndërtim dhe në mbrojtje me vendosmërinë time. Mospësimi i golave është prioritet. Kam mësuar shumë edhe nga Xhaka në kombëtare. Kemi origjinë të përbashkët dhe jemi rritur me këtë zjarr për të dhënë gjithmonë maksimumin”.
Për mundësinë e kalimit tek Interi dhe rëndësinë e derbit: “Gjithmonë kam dashur të vija te Milani dhe sapo u krijua mundësia, nuk desha të dëgjoja klub tjetër. Edhe sikur të kishte skuadra të tjera italiane të interesuara, nuk do të ndryshonte zgjedhja ime. Derbi e di sa i rëndësishëm është, por duhet ta çojmë këtë skuadër aty ku i takon”.
Futbolli italian është i njohur për aspektin taktik, sidomos në mesfushë: “Sigurisht, është një nivel tjetër loje, më fizik sesa në Belgjikë, edhe pse atje futbolli po rritet shumë. Të luaj në Serie A është një tjetër ëndërr e imja, që po realizohet. Gjithmonë kam dashur ta bëja këtë me fanellën e Milanit dhe mezi pres ta shoh nivelin e kampionatit. Sigurisht do të përjetoj emocione të ndryshme krahasuar me Belgjikën apo Zvicrën”.
Në ardhjen e tij te Milani ka pasur rol të rëndësishëm edhe Zlatan Ibrahimovic: “Ishte një negociatë e mrekullueshme për mua me Milanin, sepse gjithmonë jam trajtuar shumë mirë. Me Ibra kam folur për Milanin, pritshmëritë dhe tifozët. Gjatë këtyre javëve pritjeje, Tare dhe Ibra më dhanë besim se në fund marrëveshja do të realizohej. Ndjeva besimin e tyre që nga fillimi”.
The post Jashari prezantohet te Milani: Më ka frymëzuar Pirlo, jam tifoz me këtë ekip qysh fëmijë appeared first on Telesport.