Autoritetet serbe kanë thënë se ka arrestuar sot dy shtetas të Kosovës në kalimin kufitar në Horgosh, me pretendimin për krime lufte.
Arrestimi i tyre pason një varg arrestimesh të tjera të shtetasve kosovarë gjatë udhëtimit transit nëpër Serbi në muajt e fundit, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Njoftimi është publikuar nga Ministria e Punëve të Brendshme në Serbi, teksa janë publikuar edhe inicialet e dy personave që raportohet se janë ndaluar nga autoritetet serbe.
“Pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Drejtorisë së Policisë, Shërbimit të Hetimit të Krimeve të Luftës, në Kalimin Kufitar Horgosh në hyrje të Serbisë, arrestuan X. E. (1976) dhe B. E. (1973) për shkak të ekzistencës së bazave të dyshimit se ata kanë kryer krime lufte kundër popullatës civile”, thuhet në njoftimin e lëshuar.
Dyshohet se më 9 gusht 1999, në Rahovec, në bashkëpunim me disa anëtarë të të ashtuquajturës “UÇK”, me përdorimin e forcës fizike, armëve të zjarrit dhe kërcënimeve serioze për jetën dhe gjymtyrët, ata rrëmbyen një civil të kombësisë serbe, J. M., dhe e çuan në një drejtim të panjohur, që nga ajo kohë çdo gjurmë e tij është humbur. J. M. ende figuron si person i zhdukur”, thuhet në njoftimin e lëshuar.
Të njëjtëve thuhet se u është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orë.
Në muajt e fundit, disa qytetarë të Kosovë janë arrestuar në Serbi. Së fundmi u njoftuar për arrestimin e shtetasit të Kosovës, Lulzim Halili.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të shmangin udhëtimet dhe kalimet tranzite përmes territorit të Serbisë për shkak të rrezikut të shtuar për ndalime dhe arrestime arbitrare nga autoritetet serbe.