Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka thënë se nuk është mungesa e ligjit e moskonstituimi i Kuvendit që ka lënë pa paga 700 punëtorë të RTK-së.
Bajrami ka thënë se 700 familje po presin nënshkrimin e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, duke e akuzuar atë se ka vendosur “t’i luftojë punëtorët e RTK-së”
Bajrami ka thënë se Prokuroria Speciale duhet të veprojë dhe siç ka shkruar “të lirojë institucionet nga uzurpatorët”.
“Po vuajnë që s’po mund t’i kontrollojnë të gjithë gazetarët”, Bajrami merr shembull Hotin që s’i la pa paga punëtorët e RTK-së kur s’kishte Kuvend
Deputetja e LDK-së, ka publikuar një vendim të Avdullah Hotit, i cili derisa ishte kryeministër kishte ndarë mjete për RTK-në në kohën kur s’kishte Kuvend të konstituuar.
“Shihni një situatë të ngjashme në vitin 2021 se si është bërë zgjidhja, shihni vendimin e kryeministrit Hoti, as atëherë s’ka pasur Kuvend të konstituar, por askush nuk ka mbetur pa pagë, askush asnjëherë nuk ka evidentuar asnjë shkelje në vendimin e asaj kohe.
Pra, siç po e shihni, nuk është Ligji, nuk është mungesa e Kuvendit, është Albin Kurti i cili po i mban peng 700 punëtorë të RTK-së, 700 familje. Kjo nuk është vetëm padrejtësi – është abuzim me pushtetin. Andaj i bëjmë thirrje Prokurorisë Speciale të veprojë menjëherë dhe të lirojë institucionet nga uzurpatorët”, ka shkruar Bajrami ndër të tjera.
Postimi i plotë i Bajramit:
Sot është data 14 gusht, por 700 punëtorë të Radio Televizionit të Kosovës ende s’kanë marrë pagën e muajit korrik.
700 familje po presin një nënshkrim nga Albin Kurti, i cili refuzon ta japë, pavarësisht se buxheti i RTK-së është miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Për të gjithë ata që nuk e dinë, janë dy komuna: Prishtina dhe Gjilani, të cilave nuk u ka kaluar buxheti asnjëherë në Kuvendin e Kosovës (Prishtinës për shkak të neglizhencës së Hekuran Muratit) dhe Ministria e Financave u ndan çdo muaj 1/12 e buxhetit që e kanë pasur në vitin 2024, ndërsa Albini ka vendosur që t’i luftojë 700 punëtorë të RTK-së me justifikimin banal se Ligji nuk i lejon të ndajnë buxhetin për paga për punëtorët e RTK-së, sepse duhet drita e gjelbër nga Komisioni Parlamentar që nuk ekziston.
Miliona euro ka ndarë qeveria jolegjitime e Albin Kurtit (janë jolegjitim nga data 15 prill kur janë betuar si deputetë), për projekte të dyshimta që askund nuk janë të specifikuara në Ligjin e Buxhetit, por ai ka vendosur t’i luftojë punëtorët e RTK-së, sepse pavarësisht se e kanë kapur bordin dhe menaxhmentin e RTK-së, po vuajnë që s’po mund t’i kontrollojnë të gjithë gazetarët aty.
Shihni një situatë të ngjashme në vitin 2021 se si është bërë zgjidhja, shihni vendimin e kryeministrit Hoti, as atëherë s’ka pasur Kuvend të konstituar, por askush nuk ka mbetur pa pagë, askush asnjëherë nuk ka evidentuar asnjë shkelje në vendimin e asaj kohe.
Pra, siç po e shihni, nuk është Ligji, nuk është mungesa e Kuvendit, është Albin Kurti i cili po i mban peng 700 punëtorë të RTK-së, 700 familje.
Kjo nuk është vetëm padrejtësi – është abuzim me pushtetin.
Andaj i bëjmë thirrje Prokurorisë Speciale të veprojë menjëherë dhe të lirojë institucionet nga uzurpatorët.