Rashford rrëfen emocionet e para te Barça: Sfida ime e madhe e karrierës, këtu ndryshon gjithçka

Marcus Rashford (27 vjeç) dëshiron të përfitojë sa më shumë nga huazimi te Barcelona për ta rilindur karrierën e tij, pas disa viteve të vështira. Sulmuesi anglez u shpreh kështu në episodin e ri të podcast-it të bashkëkombësve të tij, Gary Lineker, Micah Richards dhe Alan Shearer, “The Rest Is Football”: “Është një përvojë e re për mua dhe po e shijoj. Këtu gjithçka është shumë intensive, ndryshe nga futbolli anglez.

Është e vështirë për t’u shpjeguar, por përgatitja parasezonale ka qenë e lodhshme. Ndiheshim shumë të lodhur pas stërvitjeve, edhe koha e nxehtë ndikoi pak. Nuk është e vështirë në aspektin e vrapimit, por më shumë në ushtrimet e posedimit dhe të qëndrimit konstant me topin. Është më e komplikuar nga ky këndvështrim në terma intensiteti. Po pres me padurim që të fillojë sezoni dhe të luaj kundër ekipeve të reja”.

Lineker i tregoi Rashford-it një video të klasave të tij të spanjishtes nga koha kur ishte futbollist i Barcelonës. Sulmuesi u shpreh se “dëshiron të jetë konstant” në mësimin e gjuhës për ta lehtësuar adaptimin në skuadër. Numri i ri ‘14’ blaugrana gjithashtu pranoi se ishte “i emocionuar” për të nisur sfidën e të luajturit te Barça dhe theksoi se përvoja e huazimit tek Aston Villa mund ta ndihmojë të përshtatet, pas gjithë jetës së kaluar në “Old Trafford”:

“Te Barcelona ka lojtarë si Frenkie (De Jong) apo Jules (Koundé), që flasin shumë mirë anglisht dhe janë këtu prej vitesh. Në fushë është më e lehtë se sa mendoja. Futbolli ka një gjuhë unike, nëse kuptohesh në fushë, është e lehtë të komunikosh”.

Lineker e pyeti Rashford për shokët e tij të skuadrës dhe cilësinë e tyre në stërvitje: “Të gjithë janë shumë të talentuar, por më ka habitur shumë ajo që bëjnë në fushë, luajnë futboll në ritmin e tyre. Është mënyra si janë zhvilluar, është diçka ndryshe. Shikon dikë si Pedri, 22 ose 23 vjeç. Është shumë i ri, por tashmë ka përvojë të madhe duke luajtur në një nga klubet më të mëdha të botës, në ndeshjet më të mëdha”.

Përsa iu përket objektivave të tij, Rashford tha: “Natyrisht dua një sezon të mirë individual. Megjithatë, nëse duhet të zgjedh midis aspektit personal dhe fitimit të trofeve me Barcelonën, zgjedh të dytën”.

The post Rashford rrëfen emocionet e para te Barça: Sfida ime e madhe e karrierës, këtu ndryshon gjithçka appeared first on Telesport.