PSG e “flaku në rrugë”, agjenti i Donnarumma i tërbuar: Përballje ligjore me klubin, ja çfarë ndodhi në prapaskenë

Enzo Raiola, menaxheri i Gigio Donnarummës, ka folur për “Sky Sport” lidhur me çështjen e ditës, atë të përjashtimit të portierit italian nga ndeshjet e PSG-së: “Nga fjalët e Gigio kuptohet që se është shumë i mërzitur, ndërsa unë jam i habitur. 4 vite respekt dhe rezultate të mëdha, por në këto 10 ditë është rrëzuar e tërë kështjella. Këto veprime rrezikojnë të fshijnë gjithçka që është bërë me PSG-në”.

Si shkuan negociatat për rinovimin?
Situata zgjati shumë, PSG-ja bëri kërkesa të ndryshme nga ato të kontratës standarde. Gigio pranoi edhe pagë më të ulët, ishte i lumtur të qëndronte këtu, rezultatet u arritën. Kur vendosëm të vazhdonim, gjithçka ndryshoi dhe u detyruam ta ndalonim procesin.

Gjatë Botërorit të Klubeve, a ndryshoi diçka?
Në Los Angeles më konfirmuan gjithçka dhe unë theksova që Gigio kishte edhe një vit kontratë dhe nuk dëshironte të bënte asgjë tjetër. Ajo që ndodhi në ditët e fundit është e papritur, mungesë shumë e madhe respekti. Trajneri bën lojën e klubit, do të shohim me juristët se çfarë pozicioni kanë marrë.

Luis Enrique foli për një zgjedhje teknike, a është e besueshme?
Ne po flisnim për rinovim deri në Los Angeles…, nuk besoj se trajneri e ka ndryshuar mendimin për një muaj. Kjo është ajo që më mërzit më shumë. Në këtë pikë ishte më mirë të mos rinovohej kontrata.

Vjen viti i Botërorit, ai ka nevojë të luajë. Çfarë zgjidhjeje mendoni të gjeni? A mund të jetë i interesuar Manchester City?
Vendimi për të mos rinovuar u mor gjatë Botërorit të Klubeve, PSG-ja na kërkoi të mos publikojmë asnjë informacion dhe ne e respektuam këtë kërkesë. Sa iu përket zgjidhjeve, tani po shohim lëvizjet e tregut. Sigurisht që në Premier League do të ketë mundësi ekonomike, sepse kam dëgjuar që PSG ka kërkesa paksa të ekzagjeruara për kartonin e tij. Ata flasin për respekt, por po kuptoj se ky respekt është thjesht ekonomik. Do ta kuptojmë më mirë në ditët në vijim se çfarë do të thonë ata, por do të konsultohem edhe me juristët e mi. Edhe nga aspekti i imazhit duhet të marrim pozicionet e duhura për të kuptuar se si do të vazhdojmë dhe si do të përballemi me klubin parizien.

 

The post PSG e “flaku në rrugë”, agjenti i Donnarumma i tërbuar: Përballje ligjore me klubin, ja çfarë ndodhi në prapaskenë appeared first on Telesport.