Barcelona po i luan të gjitha kartat për ta regjistruar Joan Garcia në La Liga

Barcelona pret vendimin e komisionit mjekësor të La Liga-s, i cili duhet të vendosë nëse dëmtimi i portierit Marc-André ter Stegen do të jetë i gjatë. Nëse komisioni konfirmon se Ter Stegen do të mungojë për 5 muaj ose më shumë, klubi do të mund të përdorë deri në 80% të pagës së tij për t’i hapur rrugë regjistrimit të portierit të ri, Joan Garcia.

Nëse mungesa e gjermanit është për 4 muaj, shifra bie në 50%. Nëse mungesa është më pak se 4 muaj dhe plani A dështon, Barça ka një plan B; garancinë personale të presidentit ose ndonjë anëtari të bordit drejtues.

Klubi shpreson për një vendim pozitiv në këtë drejtim, pasi Joan Garcia është prioriteti kryesor për regjistrimet, ndërkohë që kampionati nis të shtunën dhe aktualisht i regjistruar është vetëm Iñaki Peña, i cili nuk ka luajtur asnjë minutë në stërvitjet paraprake dhe nuk llogaritet nga trajneri Flick.

Në rast se vendimi nuk do të jetë në favor të klubit, Barça nuk e përjashton mundësinë e përdorimit të garancisë personale, siç ka bërë më parë. Kjo mundësi iu komunikua edhe agjentëve të Joan Garcia që në fund të korrikut.

Në gusht 2022, për regjistrimin e Jules Koundé nga Sevilla pati probleme të ngjashme, të cilat u zgjidhën me garancinë personale të presidentit Laporta dhe të Ferran Olivé, me vlerë rreth 11 milionë euro. Kjo garanci u hoq në janar 2023, pas largimit të Gerard Piqué, që liroi hapësirë në buxhet për Koundé.

The post Barcelona po i luan të gjitha kartat për ta regjistruar Joan Garcia në La Liga appeared first on Telesport.