Përplasja e nënkuptuar mes Don Xhonit dhe Noizyt po merr gjithnjë e më shumë formë, dhe mbrëmja e kaluar ishte një tjetër kapitull i kësaj “gare” të heshtur por të nxehtë në skenën e hip-hop-it shqiptar.
Reperi nga Drenica, i cili prej kohësh është përfolur për “thumbat” e koduar në rrjete sociale ndaj Noizyt, mbrëmë performoi në një nga skenat më të njohura të Durrësit – qytetit ku Noizy ka ngritur perandorinë e tij muzikore dhe ku emri i tij është pothuaj sinonim me skenën urbane.
Në rrjetet sociale, Don Xhoni publikoi pamje nga koncerti i tij me dy mesazhe që u interpretuan si vazhdim i rivalitetit në distancë. Në një prej videove të postuara ai shkruan “1shi ktu”, një titull me të cilin Noizy identifikohet prej vitesh. Në një tjetër postim nga e njëjta natë, ai theksoi: “Durrësi, ça tha? Komplet bllokim – pamjet flasin vet!”, duke nënkuptuar mbushjen e plotë të vendit dhe atmosferën e zjarrtë që e shoqëroi.
Për momentin, asnjëri nuk e ka përmendur hapur emrin e tjetrit, por gjuha e kodeve, “thumbave” dhe mesazheve të nënkuptuara e bën këtë “duel” edhe më intriguese për fansat e muzikës rap. A do të ketë një përballje të drejtpërdrejtë apo gjithçka do të mbetet në formën e sfidës në distancë? Kjo mbetet për t’u parë.
The post Don Xhoni vazhdon ta sfidojë Noizyn, shkon në Durrësin e tij appeared first on Kosovapost.net.