Pagliuca këshillon Donnarumma: Të shkojë tani te Guardiola, ose pas një viti tek Interi

Krisje totale mes PSG-së dhe Gianluigi Donnarumma. Portieri dhe kapiteni i kombëtares italiane, pas refuzimit për rinovimin e kontratës, është përjashtuar nga lista e të grumbulluarve të klubit francez për Superkupën e Europës, që do të zhvillohet nesër në mbrëmje kundër Tottenham.

Një vendim që ka bërë shumë bujë dhe nëpërmjet “La Stampa” është komentuar nga një tjetër portier që ka shkruar faqe të rëndësishme me fanellën e Italisë, Gianluca Pagliuca: “Nuk e kuptoj pse kanë marrë Chevalier. Të gjithë e dinë se Donnarumma ka pasur shumë merita në fitimin e Champions-it. Ka qenë vendimtar pothuajse në të gjitha ndeshjet.

Fatkeqësisht ka qenë pothuajse i papunë vetëm në finalen kundër Interit. Është më i forti në botë, besoj se vlen disa milionë më shumë në pagë. Mendoj se nuk janë marrë vesh mbi rinovimin për arsye ekonomike.

Akuza se nuk di të luajë mirë me këmbë? Më kujtohen intervistat e Luis Enrique pas ndeshjeve me Liverpool, Aston Villa dhe Arsenal, e lavdëronte duke thënë se është një portier i jashtëzakonshëm. Do ta kuptoja një veprim të tillë në të kaluarën, kur pati disa probleme dhe kritikat nuk i falnin asgjë. Pas sezonit të fundit triumfal nuk ka kuptim, çështja është ekonomike”.

Për të ardhmen e kapitenit axurr, Pagliuca nuk ka dyshime: “Po të isha në vendin e tij, do të shkoja menjëherë te Guardiola. Ose mund të qëndrojë i qetë edhe një vit tjetër te PSG, të provojë shanset e tij dhe pastaj të largohet me parametër zero pas një viti. Ndoshta tek Interi”.

 

The post Pagliuca këshillon Donnarumma: Të shkojë tani te Guardiola, ose pas një viti tek Interi appeared first on Telesport.