Ishte opsioni i tretë për të forcuar krahun e majtë në “Camp Nou” e ri, por sipas statistikave, mund të përzgjidhej fare mirë i pari. Pas refuzimit të Nico Williams, kur gjithçka dukej e kryer, klubi blaugrana nisi të kërkonte opsione të tjera për të përforcuar sulmin dhe shtuar konkurrencën në fazën ofensive.
Shpejt në skenë hyri opsioni Luis Díaz. Megjithatë, po aq shpejt sa u përfol, edhe u zhduk. Pa Nico dhe Luis, anglezi Rashford u kthye në prioritet. Pas një marrëveshjeje relativisht të lehtë me Manchester United, më në fund Hansi Flick e ka sulmuesin e tij të ri.
Edhe pse në dukje vjen me një rol disi më dytësor, në të vërtetë trajneri gjerman ka shumë besim tek anglezi. Në fakt, sipas shifrave, Barça ka firmosur me një nga lojtarët me më shumë aftësi për të gjeneruar gola në gjithë futbollin europian, madje edhe përpara Nico Williams, që renditet menjëherë pas tij.
Rashford, një “makineri” e prodhimit të golave
Edhe pse muajt e fundit nuk kanë qenë të lehtë për ish-lojtarin e Manchester United, ai nuk e ka humbur instinktin për gol dhe as vizionin në lojë. I huazuar në pjesën e fundit të sezonit të kaluar tek Aston Villa, mes tre muajve në “Villa Park” dhe minutave të pakta te Manchester United, ai arriti të shënojë 11 gola dhe të japë 9 asiste.
E gjitha në afro 2.500 minuta lojë. Duke bërë mesataren, për numrin e ri 14 të Barcelonës del një gol ose asist çdo 122 minuta lojë, shifër vërtet mbresëlënëse. Në krahasim, statistikat e Nico Williams janë më pak entuziaste për tifozët katalanas. Numri 10 i Athletic Bilbao e mbylli sezonin e kaluar me 11 gola dhe 7 asiste në 41 ndeshje; pra një gol/asist çdo 178 minuta lojë, shumë më prapa Rashfordit.
Një zëvendësues i nivelit të lartë
Edhe pse ishte opsioni C në merkaton blaugrana, Rashford do të jetë shumë i rëndësishëm këtë sezon. Me statusin ende të huazuar, ai ka 10 muaj kohë për të bindur se meriton të qëndrojë në “Camp Nou”. Nëse ia del, Barcelona do të duhet të paguajë mbi 40 milionë euro. Flick e pëlqen shumë si alternativë ofensive. Pas Raphinha, anglezi mund të jetë një armë shumë e vlefshme këtë sezon.
Me idenë për të nisur lojën nga krahu i majtë, nuk përjashtohet mundësia që herë pas here të luajë edhe si qendërsulmues. Me ngarkesën e madhe të ndeshjeve dhe në varësi të nevojave, nëse Ferran Torres mungon, Marcus mund të marrë përgjegjësinë dhe të luajë si “9” kryesor.
The post Rashford më produktiv se Williams, ja pse Barcelona goditi në shenjë me anglezin appeared first on Telesport.