Balotelli kujton eksperiencën te… Barcelona: Skuadër e papërmbajtshme, mund të fitonim 15-0

Nesër mbush 35 vjeç, por Mario Balotelli ende ruan disa ëndrra për t’i realizuar në futboll. Kanë kaluar kohët kur sulmuesi italian ishte në qendër të polemikave brenda dhe jashtë fushës. Sot, “SuperMario” është baba i dy fëmijëve dhe mendon ndryshe.

Pas përfundimit të eksperiencës te Genoa me vetëm 6 paraqitje dhe asnjë gol, ai vazhdon të stërvitet çdo ditë në pritje të një mundësie tjetër, përpara se të ribashkohet me vëllain e tij Enock, aktualisht te Vado në kategorinë e katërt të Italisë, dhe ta mbyllë karrierën duke luajtur me të. Këtë e deklaroi për “Gazzetta dello Sport”:

“Dua të luaj edhe dy ose tri vite të tjera si profesionist, pastaj do të shkoj te vëllai im Enock. Tani ai luan te Vado si amator. Do të shohim. Në fund, i kam premtuar se do ta mbyll karrierën duke luajtur me të”.

Për këtë ka ende kohë, ndërkohë që Mario Balotelli po kërkon “një klub që të ketë besim tek unë”, por nuk jep asnjë të dhënë për klubet me të cilat është në kontakt. Nuk mund të komentojë, por mund të rrëfejë një ëndërr: “Të luaj për Real Madridin…”

Në Spanjë, Mario Balotelli në fakt ka qëndruar për një periudhë të shkurtër, që ndoshta jo të gjithë e kujtojnë. Kur ishte ende te të rinjtë e Lumezzane, ai kaloi një eksperiencë 6-mujore me Barcelonën, përpara se Massimo Moratti ta merrte tek Interi dhe të niste epoka e tij e artë me zikaltërit.

Ajo periudhë e shkurtër me katalanasit ka mbetur e paharrueshme për sulmuesin italian, i cili rrëfen: “Ajo kohë te Barcelona ishte e mrekullueshme, përkova me vëllezërit Dos Santos, Thiago Alcântara dhe Bojan. Luanim lirshëm, na mësonin vetëm teknikë. Ishte kënaqësi të hynim në fushë. Ajo skuadër ishte e papërmbajtshme, fitonim 15-0”.

Gjashtë muaj te Barça, që mund ta kishin ndryshuar rrjedhën e karrierës së një prej futbollistëve italianë më të dashur, por edhe më të diskutuar, por kurrë të vënë në dyshim për talentin e tij. Po tani, çfarë do të ndodhë? Nuk do të duhet të presim shumë për ta mësuar…

The post Balotelli kujton eksperiencën te… Barcelona: Skuadër e papërmbajtshme, mund të fitonim 15-0 appeared first on Telesport.