Rodrygo nuk bën pjesë në planet e Xabi Alonso, dy gjigantët anglezë duan sulmuesin brazilian

Verë e zhurmshme e merkatos te Real Madridi për shkak të Rodrygo. Sulmuesi brazilian 24-vjeçar, dikur i konsideruar si shtyllë afatgjatë në sulmin e “Los Blancos”, tani ka përfunduar me rol të margjinalizuar nën drejtimin e Xabi Alonso, për shkak të konkurrencës së shtuar në repartin ofensiv. Kjo situatë e shtyn atë të mendojë për një aventurë të re larg “Santiago Bernabeu”.

Në Europë interesimi është shumë i lartë për brazilianin, veçanërisht nga Premier League. Sipas asaj që raporton “Caughtoffside”, Liverpool-i e ndjek nga afër lojtarin dhe e konsideron si alternativën e parë në rast se nuk arrin të marrë Alexander Isak nga Newcastle. Ish-lojtari i Santos, me 14 gola dhe 11 asistime në sezonin e fundit, është në shënjestrën edhe të Arsenalit, që e sheh si plan B në rast se dështon transferimi i Eberechi Eze nga Crystal Palace. Për “Gunners” operacioni do të kalojë përmes një largimi në krahun e majtë.

Tottenham, që ka humbur Son Heung-min (ka kaluar në MLS), ka nisur kontaktet me rrethin e Rodrygo për të kuptuar disponueshmërinë e tij. Edhe Manchester City ruan admirim për të. Pep Guardiola dëshiron të riaktivizojë marrëveshjen që afroi vite më parë. Madje, në teori është spekuluar për një shkëmbim me Rodri, ide që nuk i entuziazmon “Citizens”.

Nga ana e vet, Real Madridi nuk e mbyll derën për shitjen e tij. Vlera e lojtarit brazilian është caktuar midis 90 dhe 100 milionë eurove. Nga Arabia Saudite, Al-Nassr është shprehur gati të plotësojë kërkesën financiare, por Rodrygo do të preferonte të qëndronte në Europë. Manchester United dhe Chelsea kanë qenë të interesuar, por për momentin nuk janë destinacione prioritare për brazilianin.

The post Rodrygo nuk bën pjesë në planet e Xabi Alonso, dy gjigantët anglezë duan sulmuesin brazilian appeared first on Telesport.