Laporta: Shpresojmë t’i regjistrojmë të gjithë para fillimit të La Liga-s. Nëse jo, kemi ende kohë

Joan Laporta u shfaq optimist pas ndeshjes ndaj Como, me mundësinë që të regjistrohen të gjithë lojtarët për javën e parë të kampionatit të ri: “Po punojmë që kjo të ndodhë. Me vendimin e Marc kemi opsionin për të regjistruar Joan Garcia, edhe për të tjerët po punojmë. Këtë javë do të kemi lajme, shpresoj që të jenë të mira, për të parë nëse mund t’i regjistrojmë para se të fillojë La Liga. Nëse nuk do të jetë e mundur, kemi ende kohë”.

Presidenti u shpreh edhe për Ter Stegen, një nga protagonistët kryesorë të “Gamper”, pavarësisht se nuk luajti pas javësh të trazuara. Laporta ishte pajtues me portierin gjerman: “Shikojmë përpara. Marc është kapiteni ynë, besoj se ka qenë fantastik. Çfarë kishte u zgjidh. Ai tha disa fjalë që i mendoj të sinqerta dhe besoj se tifozët kishin nevojë për këtë, të shihnin kapitenin duke udhëhequr. Ai ka 12 sezone te Barça, ka fituar një Champions, është jo vetëm portier i shkëlqyer, por edhe person i shkëlqyer. Jam veçanërisht i lumtur që e kemi kapiten”.

Laporta gjithashtu dërgoi një mesazh falenderimi për Iñigo Martínez, i cili nuk ishte më me ekipin ndaj Como: “E tha Deco, kemi pasur pesë mbrojtës qendrorë, edhe të tjerë që mund të luanin aty, ndaj ndodhi kjo situatë. Mendoj se ai do të kishte dashur të qëndronte edhe një sezon, por ka 34 vite mbi supe dhe ky tren të kalon vetëm një herë në jetë. Mendoj se ka marrë një vendim të mirë, erdhi falas këtu dhe kemi biseduar me të që nëse do t’i vinte një mundësi e tillë, do t’ia bënim të lehtë. Vetëm mund t’i them: Faleminderit!”

Ylli i Barcelonës që po vazhdon të shkëlqejë është Lamine Yamal, që bëri një tjetër paraqitje të jashtëzakonshme. Për Laporta, nuk ka dyshim se e meriton “Topin e Artë”: “Besoj se ‘Topi i Artë’ duhet të jetë për një lojtar të Barcelonës. Kemi katër të nominuar. Lamine është në një nivel gjenial dhe e dëshmon në çdo ndeshje. Ka diçka që bëjnë vetëm ata që fitojnë ‘Topin e Artë’, japin gjithçka në stërvitje. Loja e tij është reflektim i stërvitjes, Lamine po përmirësohet gjithnjë e më shumë. Shpresoj që ‘Topi i Artë’ të vijë te Barça, na kanë nominuar edhe si ekip, te meshkujt dhe femrat, kemi shumë lojtare të nominuara”.

Në fund, presidenti foli për rikthimin në “Spotify Camp Nou”: “Po bëjmë gjithçka që është në dorën tonë që punimet të ecin me ritmin që duhet. Jemi në bashkëpunim me Bashkinë e Barcelonës, e cila ka kuptuar që është një punim i rëndësishëm për qytetin dhe vendin. Jemi të gjithë të bashkuar që të bëhet e mundur marrja e lejes për hapjen e stadiumit dhe të kthehemi sa më shpejt aty. Shpresojmë që të kthehemi në shtëpinë tonë sa më shpejt. I urojmë suksese skuadrës, duam që tifozët e Barcelonës të jenë të lumtur, të kalojnë mirë në ‘Spotify Camp Nou’. Sigurisht, në stadiumin e rikonstruktuar do të jetojmë momente të paharrueshme”.

The post Laporta: Shpresojmë t’i regjistrojmë të gjithë para fillimit të La Liga-s. Nëse jo, kemi ende kohë appeared first on Telesport.