Humbi 4-1 ndaj Chelsea, nuk alarmon Allegri: Tani nisin ndeshjet që vlejnë vërtet

Në përfundim të miqësores së humbur 4-1 ndaj Chelsea, trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, foli për mikrofonat e “Milan TV”. Ja të gjitha deklaratat e trajnerit toskan për kanalet zyrtare të klubit: “Le të themi që mbi të gjitha e mbyllëm pa dëmtime të djemve, kjo ka rëndësi të madhe.

Në këtë muaj të parë pune kemi bërë stërvitje intensive dhe miqësore të nivelit të lartë. Ndaj Chelsea, për fat të keq, nuk e nisëm mirë, pësuam shpejt dy gola që ndoshta mund t’i shmangnim. Megjithatë, më pas skuadra qëndroi mirë me 10 lojtarë.

Vrapoi, mbajti mirë fushën, bëri një stërvitje të mirë. Le të themi që duhet të jemi të kënaqur me punën e bërë. Tani nga e marta nis zbritja e ngrakesave, që do të na çojë fillimisht te Kupa e Italisë dhe pastaj te kampionati”.

Për ndeshjen: “Na vjen keq, sepse kur humbasim ka gjithmonë keqardhje dhe zhgënjim, por le të themi që kjo ishte një ndeshje e vështirë dhe skuadra e mbajti mirë fushën. E përsëris, ishte e rëndësishme ta mbyllnim sa më mirë përgatitoren e verës, sidomos pa dëmtime.

Kur bën ndeshje të tilla dhe skuadra ka një qasje të mirë, duhet të jesh gjithmonë i kënaqur, sidomos për mënyrën si po punojnë djemtë. Duhet vetëm të vazhdojmë të punojmë kështu, veçanërisht sepse tani nisin ndeshjet që vlejnë vërtet”.

The post Humbi 4-1 ndaj Chelsea, nuk alarmon Allegri: Tani nisin ndeshjet që vlejnë vërtet appeared first on Telesport.