Incident në Leposaviq, zyrtari policor përdor armën gjatë ndjekjes së një personi, IPK nis hetimet

Një incident është shënuar pasditen e së dielës, më 10.08.2025, në fshatin Vuqë të komunës së Leposaviqit, ku një patrullë e Policisë Kufitare ka përdorur armë zjarri gjatë ndjekjes së një personi që kishte tentuar të largohej nga kontrolli policor.

Zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë-Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani, ka bërë të ditur për KALLXO.com se pas ndalimit të një automjeti “Golf” pa targa dhe kërkesës për dokumente, zyrtarët kanë kërkuar që dy personat brenda makinës të dilnin jashtë.

Sipas Elshanit, në atë moment, njëri prej tyre ka ikur.

Pas ndalimit të veturës, kërkimit të dokumenteve dhe kërkesës së policëve që 2 personat të dilnin nga vetura, njëri nga ta duke e shfrytëzuar terrenin ka ikur. Policia është vënë në ndjekje dhe pas një kohe ai ka ndaluar, ka nxjerrë diçka nga brezi dhe ua ka drejtuar policëve. Njëri polic ka shkrepur një të shtënë nga arma e tij, ndërsa personi ka ikur”- ka thënë Elshani.

Tutje, ai shtoi se më vonë, i njëjti është paraqitur në stacionin policor së bashku me avokatin e tij.

Sipas Policisë, të dy personat janë të palënduar.

“Hetimet mbi rastin janë duke u zhvilluar nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), me autorizim të Prokurorit të Shtetit”- bëri të ditur më tej Elshani.

Lista Serbe ka reaguar ashpër ndaj incidentit, duke e quajtur atë “një ndjekje dhe gjueti të organizuar ndaj të rinjve serbë”, dhe ka akuzuar Policinë për përdorim të armëve pa bazë ligjore, si dhe për sjellje që “rrezikon jetën e qytetarëve më shumë sesa në kohë lufte”.

“Kërkojmë hetim të menjëhershëm dhe të pavarur me përfshirjen e përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe ndëshkimin e përgjegjësve. Policia sot në Vuqë është sjellë më keq sesa në gjendje lufte, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe sigurinë e qytetarëve”- thuhet në reagimin e LS.