Presidentja kërkon veprim urgjent pas vra*sjes së trefishtë në Gjilan

Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur keqardhjen e thellë për humbjen tragjike të tre qytetarëve në vrasjen e rëndë të kryer në Gjilan dhe ka përcjellur ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave, transmeton KosovaPost.

Sipas një komunikate të Presidencës, e para e shtetit kërkon nga organet kompetente që autorët e këtij akti makabër të kapen sa më shpejt dhe të dalin para drejtësisë, për t’u përballur me përgjegjësinë e plotë ligjore.

“Është për keqardhje që vitin e kaluar të njëjtit ishin lënë të lirë nga institucionet e drejtësisë, pas një kohe të shkurtër të kaluar në paraburgim, përkundër veprave të rënda për të cilat akuzoheshin”, thuhet në reagimin e Presidencës.

Tutje theksohet se është po ashtu shqetësues manipulimi me qëllim të keqinformimit të opinionit publik, duke përdorur fotografi të rastit të bëra në ambiente publike që autori i këtyre veprave i kishte bërë me një sërë figurash publike.

“Nga një hulumtim i thjeshtë del se këto fotografi janë bërë gjatë një organizimi festiv të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kosovë, me rastin e një aktiviteti publik ku morën pjesë edhe përfaqësues të tjerë institucionalë, personalitete nga politika, të ftuar të tjerë dhe qytetarë. Brenda vitit, presidentja del në fotografi me mijëra qytetarë e pjesëmarrës në aktivitete publike, të cilët as nuk i njeh e as nuk mund ta dijë se cila është veprimtaria e tyre. Prandaj, aludimet për kinse ‘shoqërim’ janë asgjë tjetër pos shpifje”, thuhet tutje në komunikatë.

Presidentja i bën sërish thirrje organeve të rendit dhe atyre të drejtësisë që të veprojnë sipas ligjit, në mënyrë që vrasësi të marrë dënimin e merituar.

The post Presidentja kërkon veprim urgjent pas vra*sjes së trefishtë në Gjilan appeared first on Kosovapost.net.