Guardiola për (ri)dëmtimin e Rodri: Mos prisni ta shihni duke luajtur para shtatorit

Pep Guardiola iu ka bërë thirrje tifozëve të Manchester City që të jenë të kujdesshëm me pritshmëritë. Rodri nuk do të kthehet në formën e tij më të mirë para pushimit për kombëtaret në shtator. Mesfushori spanjoll, i cili pësoi një problem në ije gjatë Kupës së Botës për Klube kundër Al Hilal, po përballet me atë që trajneri e ka quajtur një “dëmtim të madh”.

Pas rikthimit në “City Football Academy”, Rodri ka kryer kryesisht punë individuale, duke marrë pjesë vetëm në dy seancat e fundit me grupin. Ai nuk do të grumbullohet për miqësoren ndaj Palermos dhe nuk do të mund të luajë 90 minuta kundër Wolves. Guardiola shpreson ta aktivizojë pjesërisht në ndeshjet me Wolverhampton, Tottenham dhe Brighton, por objektivi është ta mbrojë dhe të shmangë rikthimin e dëmtimit, duke synuar që ta ketë vërtet në formë vetëm pas pushimit të kombëtareve.

“Është stërvitur më mirë këto ditë, – deklaroi tekniku katalanas, – por e rëndësishme është të mos ndiejë dhimbje. Nuk duam që të kthehet dhe të lëndohet sërish”.

Rodri nuk është i vetmi i padisponueshëm te City. Edhe Phil Foden, Josko Gvardiol dhe i riu Claudio Echeverri janë lënë pushim për arsye fizike. Foden, që ka marrë një goditje, dhe Gvardiol, ende jo në formën optimale, do të përpiqen të jenë në fushë kundër Wolves. Situata është më e ndërlikuar për Echeverri, i cili ndodhet në qendër të zërave për një huazim dhe ka mbetur jashtë listës së Champions-it për shkak të tepricës së lojtarëve të pafomuar në vend.

The post Guardiola për (ri)dëmtimin e Rodri: Mos prisni ta shihni duke luajtur para shtatorit appeared first on Telesport.