Gatti: Më kërkoi Napoli me ngulm, por qëndrova te Juventusi me zemër

Nga Herzogenaurach, vendi i grumbullimit veror të Juventusit, Federico Gatti na tregon ndjesitë dhe objektivat në prag të sezonit të ri. Mes punës intensive, shpirtit të grupit dhe ambicieve personale, mbrojtësi bardhezi po përgatitet të luajë një rol protagonisti nën drejtimin e Igor Tudor.

Cilat janë ndjesitë e tua nga ana fizike, edhe të grupit, të skuadrës? Në fakt, sezoni përfundoi tre javë më parë, pastaj pak pushim, por tani ka rinisur…
Jam më mirë, por e kam pasur të vështirë për fizikun tim. Kam qenë jashtë për tre muaj e gjysmë, nuk e kisha planifikuar aspak. Rinisja ishte e komplikuar, për fat tani kanë kaluar 10 ditë, gati dy javë. Po vendos “karburant në këmbë”. Do të më duhen ndeshjet për të marrë pak frymë.

Sa fiton sërish mbrojtja me kthimin e Bremer?
Sigurisht që me kthimin e Bremer do të fitojmë shumë, shumë. Unë i pari, janë tri vite që luaj me të. Më ka ardhur shumë keq për dëmtimin e tij të vitit të kaluar, sepse e kishim nisur shumë mirë. Në 7-8 ndeshjet e para nuk kishim pësuar asnjë gol, ishte krijuar një harmoni e jashtëzakonshme. Sigurisht që kthimi i tij do të jetë i rëndësishëm, por ai duhet të ecë me kujdes, sepse ka qenë jashtë për një kohë të gjatë. Megjithatë, kthimi i tij është një përforcim i madh, absolutisht.

Federico, trajneri të ka provuar edhe në Kupën e Botës për Klube si qendërmbrojtës, në një mbrojtje me 3, si ndihesh në këtë rol?
Është çështje zakoni, duhet të luash dhe pastaj ta fitosh atë zakon. Do të shohim çfarë do të vendosë trajneri në të ardhmen, nga ana ime ka plot gatishmëri.

A ke menduar të largohesh nga Juve?
Jo, nuk e kam vënë kurrë në diskutim të ardhmen time këtu. Më ka bërë shumë kënaqësi interesimi i një trajneri si Conte, që është një nga trajnerët më të mirë në botë, dhe i drejtorit Manna. I falënderoj shumë, sepse kanë bërë shumë për të më marrë te Napoli. Sidoqoftë, preferova të ndiqja zemrën. Kjo është një familje, Torino është shtëpia ime, jam rritur këtu. Mund të them që zgjedhja ishte mjaft e lehtë.

A po përpiqesh t’ia japësh këtë këshillë edhe Dusan Vlahovic, si e ke parë këto ditë, meqë edhe ai përmendet shumë në merkato?
Dusan është mjaft i pjekur për të marrë vendimet e tij. Sigurisht që unë e shtyj të qëndrojë këtu, sepse është një mik dhe lojtar shumë i rëndësishëm. Megjithatë, nuk dua të shprehem shumë për këtë çështje të tij.

A është Juventusi gati të rikthehet të luftojë për titullin?
Kjo stemë që kemi në gjoks ka peshë të madhe historike, prandaj na detyron të luajmë çdo ndeshje për ta fituar. Këtë mund të them, pastaj nuk e di kur do të ndodhë, por duhet patjetër të ndodhë sa më shpejt. Champions League, po, është sigurisht thelbësore. Sezonin e kaluar ka pasur ndeshje shumë të rëndësishme, janë ato ku rritesh më shumë, luan në skena të rëndësishme dhe të mrekullueshme, ndaj duhet të shkojmë edhe atje sa më larg të jetë e mundur.

Federico, si po ecën procesi i konsolidimit të grupit?
Po ecën mirë, por grupi konsolidohet ndeshje pas ndeshjeje, kjo është gjëja më e rëndësishme. Tani po vendosim bazat.

The post Gatti: Më kërkoi Napoli me ngulm, por qëndrova te Juventusi me zemër appeared first on Telesport.