“Conte nuk ka ndryshuar asnjë grimë nga dita e parë te Napoli. De Bruyne? Po studion situatën”

Kapiteni i Napolit, Giovanni Di Lorenzo, ka folur në “Sky Sport”, ku ka treguar ambiciet e skuadrës së re të Antonio Contes dhe momentin aktual, vetëm pak ditë para fillimit të sezonit:
“E kemi rinisur me shumë entuziazëm, pas titullit të sezonit të kaluar. Ambiciet duhet të dimë t’i shfrytëzojmë dhe t’i ushqejmë përmes punës. Do të jetë një sezon i gjatë, i vështirë, por ekzistojnë të gjitha kushtet për të bërë mirë. E kemi nisur grumbullimin duke punuar fort dhe jemi të kënaqur”.

Sa e vështirë është ta ruani urinë për fitore?
Është një aspekt për të cilin punojmë, kemi një trajner që ka fituar dhe rifituar, prandaj di si ta motivojë grupin dhe cilat butona të shtypë. E dimë që do të jetë e vështirë, ka shumë ndeshje dhe shumë kompeticione. Të rinjtë janë përshtatur mirë, kjo edhe sepse kemi një grup të shëndoshë e të përbërë nga njerëz të mirë.

Çfarë sheh te Conte një vit më pas?
Të njëjtin person, nuk ka ndryshuar asnjë grimë. Po punojmë shumë dhe mirë. E dimë që do të jetë e vështirë, por kemi stemën e kampionit në fanellë dhe duam ta mbrojmë me çdo kusht, edhe pse shumë skuadra janë përforcuar.

Titulli i tretë do të thotë të kaloni Maradonën…
Ai është i pakalueshëm… Do të ishte diçka unike. Kur fiton një herë mund të jetë rastësi, por kur e bën dy herë në tri vite do të thotë që ekzistojnë vlera të rëndësishme njerëzore, duhet të jemi të lidhur pas tyre, duke qëndruar të bashkuar si skuadër, si klub dhe si tifozëri. Pra, nevojitet një ambient i vetëm, që shtyn në të njëjtin drejtim.

McTominay, kandidat për “Topin e Artë”…
E ka merituar. Është një djalë special, e njihnim tashmë si lojtar, por ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm. U fut menjëherë në situatën tonë dhe përqafoi projektin duke ardhur nga Manchester United. Kemi nevojë për njerëz të tillë, lojtarë që kanë dëshirë të luajnë për këtë klub. Bëri një kampionat të jashtëzakonshëm, si të gjithë ne, e nisi në mënyrë të shkëlqyer. E di që është e vështirë të konfirmohesh, por e kam parë me dëshirë për të bërë një sezon tjetër të madh.

Me De Bruyne, a është mesfusha juaj më e forta në Itali?
Këto janë gjëra që i thotë shtypi, fusha do të flasë. Kemi shtuar një lojtar të rëndësishëm, një kampion, u paraqit shumë mirë edhe me grupin. E shoh që po studion situatën, po përpiqet të kuptojë ku ka ardhur dhe kjo është shenjë inteligjence. Jam i sigurt që kur të duhet, do të bëjë diferencën. Jemi të gjithë kuriozë ta shohim në veprim në kampionatin tonë. Një kampion përmirëson edhe ata që ka përreth.

A është ky grupi më i plotë që nga ardhja juaj te Napoli?
Do ta tregojë fusha. Në këto 7 vite që jam këtu, kemi pasur skuadra të rëndësishme, si ajo kur mbërrita vetë. Gjëja themelore është të qëndrojmë mirë së bashku dhe të krijojmë grup, për këtë shërben edhe grumbullimi. Është gjë e mirë që shumë lojtarë kanë ardhur që në fillim, e kemi bërë pothuajse të gjithë grumbullimin të plotë dhe po njihemi më mirë.

Çfarë do të tregojë sfida me Girona?
Çdo ndeshje është e rëndësishme kur luan për Napolin, nuk ekzistojnë miqësore. Janë ndeshje që ndihmojnë për të rritur nivelin dhe përgatitur për kampionatin. Na vjen keq që humbëm ndeshjen e parë në ‘Castel di Sangro’, tani kemi një tjetër ndeshje të vështirë, sepse e dimë që përballë do të kemi një skuadër që luan mirë futboll.

The post “Conte nuk ka ndryshuar asnjë grimë nga dita e parë te Napoli. De Bruyne? Po studion situatën” appeared first on Telesport.