Gati për ndarje, Vesa tregon detajet e krizës me Big Bastën

Në një rrëfim të rrallë dhe emocional në “The Dalina Show”, këngëtarja e njohur Vesa Luma vendosi të flasë hapur për lajmet që kanë qarkulluar muajve të fundit rreth marrëdhënies së saj me bashkëshortin, Big Bastën. Ajo nuk i mohoi zërat dhe për herë të parë pranoi se “ka pasur diçka të vërtetë” pas spekulimeve për një ndarje të mundshme.

Vesa rrëfeu se sfidat personale që ka përjetuar që në fëmijëri kanë lënë gjurmë në mënyrën se si ajo përballon problemet sot. “Kam pasur një fëmijëri shumë të vështirë, që nga mungesa e babait, lufta, nevoja për të punuar që e vogël për të ndihmuar nënën dhe familjen,” u shpreh ajo, duke shtuar se kjo e ka bërë të ketë frikë nga ndarjet dhe të luftojë për të ruajtur stabilitetin.

Një nga momentet më të vështira për çiftin ka qenë pjesëmarrja e Big Bastës në reality show-n “Ferma VIP”, të cilën Vesa e përjetoi me shumë pasiguri dhe dyshime. “Nuk e kam imagjinuar kurrë që Geri të ishte në një ambient të tillë,” tha ajo, duke e cilësuar si një hap të rrezikshëm për dikë me natyrë të qetë si bashkëshorti i saj. Ajo rrëfen se pati frikë për mënyrën se si do perceptohej nga publiku dhe për pasojat emocionale që mund të kishte për të.

Megjithatë, Vesa theksoi se në fund zgjodhi ta mbështeste plotësisht partnerin e saj. “Në momentin që thashë ‘po të mbështes’, thashë ‘do të të mbështes 100%’,” u shpreh ajo me vendosmëri. Sipas saj, lajmet për ndarje u nxitën nga fjalët e përhapura dhe keqkuptimet e njerëzve. “Mund të më ketë shpëtuar ndonjë fjalë, ndoshta kjo ka sjellë keqinterpretime. Pastaj, njerëzit e kanë qejf dramën,” shtoi ajo me një buzëqeshje të hidhur.

E pyetur pse nuk reagoi më herët ndaj zërave për ndarje, Vesa dha një arsye të thellë emocionale: “Doja që publiku ta njihte Gerin për atë që është — një njeri i mirë, një artist i vërtetë. Nëse do të flisja unë, sërish do merreshin me ne. Kështu, vendosa të hesht dhe ta lë atë të tregojë veten.”

Me një ton të qartë dhe të prerë, Vesa e mbylli rrëfimin me një deklaratë që hedh poshtë çdo aludim për ndarje:
“Kemi pasur mosmarrëveshje, por nuk jemi ndarë kurrë. Jam shumë me fat që kam Gerin në jetën time. Familja për ne është kult, nuk luajmë me atë.”