Haxhiu: Kërkesa jonë për shkarkim e Laban u cilësua si ndërhyrje

Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas tërheqjes së kërkesës së presidentes Vjosa Osmani drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit, për shkak të emërimit të Radomir Llabanit si gjyqtar raportues të kësaj lënde.

 

Në një postim në Facebook, Haxhiu ka kujtuar përpjekjet e saj dhe të partisë që ajo përfaqëson, për të ndaluar dekretimin e Llabanit si gjyqtar kushtetues që në vitin 2018, duke theksuar se kishte paralajmëruar për të kaluarën e tij të dyshimtë.

“Kur në vitin 2018, ish-Presidenti Thaçi kishte injoruar thirrjet tona për të mos e dekretuar Radomir Llabanin si gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, për shkak të së kaluarës së tij kriminale.”, shkruan pos tjerash Haxhiu.

Ajo thotë se asokohe kishin kërkuar nga kryetarja e atëhershme e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, që të filloheshin procedurat për shkarkimin e Llabanit, por kërkesa ishte refuzuar me arsyetimin se përbënte ndërhyrje në pavarësinë e gjykatës.

“Në vend që të merrej parasysh kjo kërkesë, ne kishim pranuar një përgjigje zyrtare në të cilën thuhej se kërkesa jonë përbënte ‘ndërhyrje në pavarësinë e tyre’”, shkruan Haxhio.

Ndryshe presidentja Osmani të martën kishte tërhequr kërkesën që ia kishte adresuar Gjykatës Kushtetuese më 22 korrik, me arsyetimin se përzgjedhja e gjyqtarit Llaban si raportues për këtë çështje “paraqet rrezik për rendin kushtetues dhe sigurinë juridike në Kosovë”.

The post Haxhiu: Kërkesa jonë për shkarkim e Laban u cilësua si ndërhyrje appeared first on Kosovapost.net.