Klubi gjerman Fortuna Dusseldorf ka vendosur të mos e transferojë futbollistin izraelit Shon Weissman, pas protestave të tifozëve për shkak të komenteve të tij nxitëse në rrjetet sociale që bënin thirrje për dhunë ndaj palestinezëve në Gaza.
Në një njoftim të shkurtër në platformën X, klubi që garon në ligën e dytë gjermane bëri të ditur se nuk do ta vazhdojë marrëveshjen për transferimin.
Ky vendim erdhi pasi tifozët e Fortunës nisën një peticion online duke kërkuar nga drejtuesit e klubit që ta anulojnë transferimin, duke theksuar historikun e Weissman me deklarata diskriminuese.
“Në komentet e tij, të cilat janë perceptuar gjerësisht si diskriminuese dhe fyese, ai bie ndesh me vlerat që përfaqëson Fortuna Dusseldorf,” thuhej në peticion.
“Nënshkrimi i tij do ta dëmtonte besueshmërinë e klubit dhe të tifozëve të tij, të cilët përqafojnë diversitetin dhe frymën e komunitetit.”
Në tetor 2023, Weissman raportohet të ketë shpërndarë dhe pëlqyer postime që bënin thirrje për fshirjen e Gazës nga harta. Në një prej tyre ai pyeste: “Cili është arsyeja logjike pse ende nuk janë hedhur bomba 200-tonëshe mbi Gazë?”
Në një tjetër koment, si përgjigje ndaj një fotografie me dy palestinezë të ndaluar, ai thuhet të ketë shkruar: “Pse nuk po u qëllohet në kokë?” /mesazhi
The post Klubi gjerman anulon transferimin e futbollistit izraelit pas deklaratave nxitëse kundër palestinezëve appeared first on Kosovapost.net.