Kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Milovan Drecun, ka folur për Samitin e Berlinit i cili fillon sot.
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Milovan Drecun, duke folur për zgjidhjen dialogut Kosovë-Serbi, ai ka vlerësuar se rezultati i Samitit të Berlinit mun të jetë përcaktimi i hapave të ardhshëm për të zhbllokuar dialogun.
Sipas tij, në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor, rëndësi e veçantë do t’i jepet Kosovës dhe Serbisë, ku siç theksoi Drecun, diskutimi për këto dy shtete do të jetë pjesa më e rëndësishme e takimit.
Drecun në një intervistë dhënë për televizionin publik serb, ka thënë se Samiti i Berlini është si një lloj reagimi ku mbi të gjitha kancelarja gjermane, Angela Merkel ka marrë parasysh letrën e presidentit amerikan, Donald Trump, në të cilën kërkohet zgjidhje për çështjen e Kosovës.
Sipas tij, pa përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, asgjë nuk mund të bëhet në lidhje me çështjen e Kosovës.
“Pa përfshirjen e Shteteve të Bashkuara, të cilat kanë kapacitetin më të madh për të ndikuar gjithçka që po ndodh në Kosovë, asgjë nuk mund të bëhet”, ka deklaruar Drecun, i cili ka shtuar se në Samitin e Berlinit janë pjesëmarrës të gjitha shtetet që e njohin pavarësinë e Kosovës dhe se në këtë mënyrë, Bashkimi Evropian do të bëj presin ndaj Serbisë që ta njohë Kosovën.
Ndryshe, sot në Berlin do të mbahet Samiti i Liderëve të Ballkanit Perëndimor me ftesë të kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emmanuel Macron.
Kosova në këtë Samit do të përfaqësohet nga presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri, Ramush Haradinaj.
Ndërkaq, Serbia do të përfaqësohet nga presidenti, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrja, Ana Bërnabiq.
Vlen të theksohet se, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, para nisjes për në Berlin ka thënë se, Serbia do të jetë e vetmja në këtë takim që do të flasë kundër pavarësisë së Kosovës.