Mourinho shpërthen në lot kur pyetet për Jorge Costa: Një pjesë e historisë sime po largohet me të (video)

José Mourinho nuk e përballoi dot emocionin gjatë konferencës për shtyp, në prag të sfidës së vlefshme për turin paraprak të Ligës së Kampionëve, ku Fenerbahçe do të përballet me Feyenoord. Në një moment, siç pritej, Mourinho u pyet për Jorge Costa, kapitenin dhe liderin e Portos, me të cilin fitoi Kupën UEFA në vitin 2003 dhe më pas Champions League e lavdishme në 2004. Costa ndërroi jetë dje, pas një problemi shëndetësor që pati, direkt mbas stërvitjes me Porton, ku shërbente si drejtor sportiv.

“Është një pjesë e historisë sime që po largohet, – tha Mourinho me lot në sy, para se të mundohej të përmbahej. – Ka kapitenë dhe liderë, nuk është çështje shiritash, por e asaj që përfaqëson. Jorge Costa ishte një nga ata që pastronte kaosin dhe i linte trajnerit mundësinë të bënte punën si trajner, jo si lider i dhomave të zhveshjes. Kjo është përsosmëria për një trajner”.

Më pas, “Special One” shtoi: “Jam shumë i trishtuar. Le ta harrojmë futbollistin dhe të përqendrohemi te Jorge Costa si njeri, te fëmijët e tij që i kam njohur… Jam këtu sepse, po të mund të më fliste tani, do më thoshte: Luaj nesër dhe fito. Ai ishte Jorge. Kam një punë për të bërë. Mund të qaj nesër”.

Fjalë që të lënë pa frymë nga Mourinho, i cili që pasdite kishte postuar një foto në Instagram së bashku me Jorge Costa, kur të dy ishin te Porto, përkatësisht si lojtar dhe trajner. Trajneri luzitan kishte lënë edhe një mesazh shumë të bukur, të thellë dhe të ndjerë, që preku zemrat e popullit portugez dhe tifozëve të Portos, të cilët e ndanë postimin e tij:
“E di çfarë do më thoshe tani po të mundeshe: Mister, ndalo së qari, nesër ke një ndeshje dhe djemtë e tu kanë nevojë që të jesh gati dhe i fortë. Të premtoj, Bicho, që do ta bëj. Pusho në paqe, sepse trashëgimia jote mbetet me ne”.

Kanë qenë të shumta ngushëllimet për Jorge Costa në çdo cep të botës. Edhe ish-shokët e tij të skuadrës, nga ajo skuadër e jashtëzakonshme e Portos, kanë ndarë në rrjetet sociale mendimet dhe emocionet e tyre në këtë moment të dhimbshëm. Gjithçka ndodhi kaq shpejt, nga ndërhyrja e stafit mjekësor të Portos në qendrën stërvitore deri te transportimi i dëshpëruar në spital, përpara se të ndodhte ndarja nga jeta, që ka tronditur jo vetëm futbollin portugez, por edhe mbarë botën, për atë që përfaqësonte dhe do të përfaqësojë gjithmonë Jorge Costa.

 

The post Mourinho shpërthen në lot kur pyetet për Jorge Costa: Një pjesë e historisë sime po largohet me të (video) appeared first on Telesport.