Ka nisur dje zyrtarisht sezoni i ri për Real Madridin. Në Valdebebas, skuadra e drejtuar nga Xabi Alonso është rikthyer në stërvitje, pas pushimit të shkurtër, mbas Kupës së Botës për Klube. Ndërsa fillimi i La Liga-s, me ndeshjen ndaj Osasunës, është vetëm tri javë larg, Kylian Mbappé është gati për të shpërthyer.
Sulmuesi francez, i cili këtë sezon ka braktisur fanellën me numrin 9 për të marrë “10” e Luka Modric, tashmë te Milani, ka dërguar një sinjal të fortë përmes rrjeteve sociale:
“Sezoni i ri… Kam uri për të bërë diçka të madhe. Forca, të gjithë bashkë, madridistë!!! Hala Madrid!” Pas një sezoni që nuk shkoi siç kishte ëndërruar, vendi i dytë në kampionat dhe eliminimi nga Champions League, Mbappé është i vendosur ta çojë Real Madridin drejt lavdisë, ashtu siç kërkon historia e këtij klubi.
Pavarësisht zhgënjimeve kolektive, Mbappé shkëlqeu individualisht: 44 gola dhe 5 asiste në 59 ndeshje, shifra që tregojnë se është gati për ta udhëhequr këtë projekt të ri “galaktik”.
Sezoni 2025-2026 nis me premtime të mëdha në Madrid…, aty ku Mbappé është më i uritur se kurrë.
The post Mbappé “ndez motorët”: Sezoni i ri…, kam uri për të bërë diçka të madhe appeared first on Telesport.